Nga: ILIR KALEMAJ *
Një nga fenomenet më dinamike paskomuniste ishte edhe lindja e një shoqërie civile në kuptimin e rigjallërimit të aktorëve shoqërorë jopolitikë për t’i dhënë më shumë grintë opinionit publik dhe pse jo, për të ndihmuar në formësimin e tij. Një arsye tjetër mund të jetë dhe mbartja e kërkesave të grupeve të caktuara ndërmjet popullatës në nivelet e vendimmarrjes, e cila më pas bën dhe filtrimin dhe agregimin e nevojshëm të tyre, për t’u përkthyer më pas në politika konkrete.
Kjo është një trajektore disi rudimentare e rolit dhe funksioneve që shoqëria civile performon në hapësirat publike. Nëse do shkonim pak më mbas në kohë, te disa nga autorët klasikë që kanë qenë ndër të parët që kanë studiuar rolin e shoqërisë civile në historinë moderne, mund të fillonim me Xhon Lokun, i cili e shihte shoqërinë civile si diçka që dilte apo rridhte natyralisht nga gjendja natyrore (state of nature). Për Lokun, shoqëria civile ishte burimi i legjitimitetit për shtetin dhe shteti mund të identifikohej vetëm në prezencën e këtyre aktorëve shoqërorë. Ndërsa gjendja natyrore për të ishte tregu. Tregu si diçka që është pararendës i vetë shtetit.
Filozofi gjerman Hegel në këtë pikë mendonte disi ndryshe. Për të shteti është një evolucion i natyrshëm nga gjendja natyrore dhe qëndron si një element shtesë, por superior ndaj shoqërisë civile. Për Hegelin, shteti është një “komunitet etik”. Paradoksalisht Marksi, i cili ndan një botëkuptim të përafërt me Hegelin, të paktën për sa i përket materializmit dialektik, mendon se shteti në të kundërt është një strukturë opresive, që pengon zhvillimin e natyrshëm të shoqërisë civile. Nëse mendojmë mënyrën se si regjimet komuniste, të frymëzuara nga një Marksizëm i ndërthurur keqazi me Leninizmin bolshevik prodhuan disa nga shtetet më autoritare dhe shtypëse ndaj shoqërisë në përgjithësi, paradoksi bëhet edhe më i dukshëm, megjithëse kjo i largohet analizës për të cilën jemi të interesuar në këtë shkrim. Për t’iu rikthyer Hegelit, është i rëndësishëm të pohohet fakti që ai besonte se njerëzit ndërveprojnë me njëri-tjetrin bazuar në terma tregu, pa kokëçarje për norma apo vlera etike.
Pa dashur t’i hyjmë një diskutimi filozofik të gjatë dhe për të arritur sadopak të hedhim dritë mbi rolin e shoqërisë civile në Shqipëri, mendoj se shoqëria civile ishte ngushtësisht e identifikuar me opozicionin në përgjithësi që iu bë regjimit komunist në fillimet e viteve ’90, çka bëri të mundur jo vetëm ndryshimin e sistemeve, por edhe i shtoi kredo dhe legjitimitet, duke i dhënë një dimension etik dhe normativ lëvizjes për liri dhe demokraci. Mbas një periudhe tranzitore, ku edhe në sajë të donatorëve dhe organizatave të huaja u bë e mundur një ndarje më e qartë e shoqërisë civile si me strukturat shtetërore në veçanti, ashtu edhe me klasën politike në përgjithësi, duket se sërish ka disa lëvizje së prapthi në këtë pikë, ku kohët e fundit një pjesë e mirë e shoqërisë civile po mundohet të imponohet si forcë e re politike. Kjo ngre disa pikëpyetje, ku ndër më kryesoret janë pse ndodh pikërisht tani dhe së dyti, çfarë mund të jenë konsekuencat e kësaj ndërmarrjeje. Për të filluar me pyetjen e parë, mendoj se është e rëndësishme të kuptohet konteksti i lulëzimit të veprimtarisë së shoqërisë civile, e konceptuar kryesisht këtu në formën e OJF-ve, se arsyeja kryesore e rrudhjes së impaktit të tyre publik ka të bëjë me pakësimin e ndihmës nga donatorët e huaj. Kjo vjen si rrjedhojë e dy arsyeve kryesore: së pari, shumica e instituteve apo fondacioneve të huaja e konsiderojnë Shqipërinë një vend deri diku të konsoliduar dhe me një tranzicion që ka shkuar drejt fundit (dhe kjo shihet edhe te sjellja e institucioneve financiare si FMN apo Banka Botërore), ashtu sikundër edhe te fakti që shumë shoqata kanë qenë “fantazma”, pra kanë marrë fonde pa kontribuar realisht në cilësinë e demokracisë së vendit. Vende të tjera, si ish-republikat sovjetike e kanë më të nevojshme aktualisht nevojën e forcimit të aktorëve shoqërorë të aftë për të prodhuar rezistencë ndaj liderëve despotikë dhe të korruptuar. Një arsye tjetër e “rrudhjes” së ndihmës së donatorëve ishte dhe “lodhja” e tyre me mashtrimet e disa OJF-ve shqiptare, që me anë të projekteve “pompoze” shpesh shumëfishonin vlerën reale të kostos së projektit/ve dhe ku restoja e parave shkonte për qejfe rinore pub-eve apo për plotësimin e nevojave luksoze të pjesëtarëve të kësaj pseudo-shoqërie civile.
Natyrisht, këtu nuk bëhet fjalë për përgjithësime dhe natyrisht që pjesë e kësaj shoqërie civile që ka lulëzuar gjithë këto vjet dhe që vazhdon të ketë një impakt të fuqishëm si në vendimmarrje, ashtu dhe në projektimin e ideve reformuese, demokratike dhe evolucionare, jo vetëm që janë prezent sot, por kanë marrë pjesë shumë aktivisht në ndërmarrje, madje të rrezikshme, po të kihen parasysh kostot me të cilat u është dashur të përballen. Këtu futen “think tanke” dhe institute studimore që kanë prodhuar shkencë është në kushte të paimagjinueshme, shpesh me shumë pak përkrahje, lëvizje spontane të rinjsh apo grupe të mirëorganizuar interesi dhe lobimi, të cilat kanë arritur t’i përmbushin plotësisht objektivat dhe të justifikojnë ekzistencën e tyre në “tregun” shpesh të deformuar dhe me rregulla të pabarabarta të shoqërisë civile në Shqipëri.
Gjithsesi, duke pasur në mendje këtë kontekst, është e natyrshme që në mungesë të fondeve të “majme” që dikur merrnin pa ndonjë justifikim qenësor dhe “nevojës” për një kontinuitet në jetën publike të vendit, një pjesë e kësaj shoqërie civile pa si një “raison d’état” të saj, katapultimin në jetën politike të vendit, natyrisht në formën e një formacioni politik. Një agregim i nevojshëm, madje i domosdoshëm ishte “ngjizja” e këtyre “aktorëve” të rinj me një pjesë të publicistikës dhe ish-nëpunësish shtetërorë për të krijuar një “amalgamë progresi”, që në pamje të parë dukej si një lëvizje idealistike, madje disi prozaike.
Kohët e fundit, pas fitores në Greqi të Syrizës, por edhe suksesin relativ të lëvizjes ‘Vetvendosje’ e kthyer në forcën kryesore opozitare nën drejtimin karizmatik të Albinit, po spekulohet për krijimin e një partie radikale të majtë, për të tërhequr votat e të pakënaqurve të PS-së. Një lëvizje spin-i (tërheqje vëmendje dhe instrumentalizimi) që synon të rikuperojë votat e humbura si rezultat i pakënaqësive në masë brendapërbrenda PS-së. Por druaj se kjo lëvizje do ketë fatin e G99 si subjekt politik i dështuar, që doli nga një lëvizje e suksesshme si Mjaft-i. Kjo për disa arsye. Së pari, kodi dhe sistemi zgjedhor aktual eliminon shanset për mbijetesë të shumë prej partive të vogla ekzistuese, natyrisht që nuk mund t’i dhurojë shanse më të mëdha një partie të re, që për më tepër nuk ka as një bosht ideologjik diferencues. Së dyti, historia e pluralizmit politik 24-vjeçar ka treguar se shanset e agregacioneve të tilla artificiale, ku ka shumë “kokosha” dhe për rrjedhojë do ketë edhe kakofoni, e mbartin rrezikun e dështimit qysh në ngjizje (rasti më i pastër është ai i Aleancës Demokratike në fillimvitet ’90-të, megjithëse potenciali intelektual i së cilës ishte ku e ku më i lartë nga ky i sotmi, nëse marrim parasysh kohën e krijimit). Së treti, zonat urbane apo rrethet universitare-akademike nuk janë një rreth homogjen dhe për më tepër i paafiliuar politikisht, në pritje të ‘princit të kaltër’, i cili do u vijë t’iu kërkojë dorën. Dhe së katërti, lëvizje të reja sociale, të papërlyera dhe të papërfolura, që nuk kanë përfituar asnjë kacidhe nga donatorë të brendshëm apo të jashtëm, por që i përbashkon fryma për të luftuar çibanët kancerogjenë të sistemit, të tillë si lëvizja ‘Shqipon’, po i japin një frymëmarrje të re shoqërisë civile në vend dhe një raport të ri me qytetarin, me studentin, me intelektualët etj.
Përkundrazi, mendoj se jo vetëm ky “territor elektoral” duhet parë si mjaft divers në kërkesa dhe formim, për më tepër që pas dy dekadash e gjysmë vitesh tranzicion dhe pluralizëm, qytetarët, akademikët apo studentët të cilët kjo lëvizje e re synon të apelojë, kanë arritur të formojnë dhe madje të artikulojnë kërkesa konkrete, qoftë ideologjike, ashtu edhe materiale. E thënë më shqip, kjo pjesë e popullsisë është në pararojë të shoqërisë në përgjithësi për nivelin e njohjes së kërkesave që ka dhe është shumë e vështirë, pothuajse e pamundur të arrish t’u imponohesh vetëm me retorikë. Sot më shumë se kurrë ka ardhur koha që klasa politike të debatojë mbi zgjedhje alternative bazuar në platforma bindëse, partitë rudimentare dhe pa përfaqësim real të skarcohen gradualisht dhe njerëzit të përballen me zgjedhje të qarta elektorale dhe jo transformime apo metamorfoza pjesësh të shoqërisë civile në rrafshin politik, aq më tepër kur u mungojnë dhe elementët bazë të funksionimit politik normal si: përfaqësimi, ideologjia dhe aftësia për t’u bërë imponues në një shoqëri që nuk është më ajo e fillimviteve ’90.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: