NGA ARSIM SPAHIU
Kohët e fundit kam parë dhe dëgjuar disa intelektualë të thelluar në lëmenj të ndryshëm të dijes, që thonë se nuk i lexojnë librat me pellazgë mitikë. Për këtë ata janë të sigurt, sepse ashtu ka thënë Aleks Buda. Pas më se çerek shekulli pune me ngulm për historinë e vjetër të Epirit dhe të Maqedonisë Perëndimore, ma do mendja se mund të shpjegoj se si qëndron puna e pellazgëve. Deri tani nuk kam parë ndonjë autor të vjetër grek, historian qoftë ose gjeograf, filozof, letrar etj., që t’i bëjë epirotët ilirë; për të gjithë ata, epirotët e vjetër janë pellazgë, ndërsa fiset ilire janë vendosur në veri të Epirit. Përveç kësaj, orakulli piramidal i Dodonës me gjithë panteonin e vet është pellazgjik dhe vetëm pellazgjik; asnjë autor i vjetër grek, i murrëm e i currëm, nuk thotë orakulli ilir i Dodonës, ashtu sikundër nuk thotë orakulli helenik i Dodonës.
Të dhënat burimore historike dhe letrare të autorëve të vjetër grekë, duke lënë mënjanë arkeologjinë, numismatikën dhe gjuhësinë, përbëjnë të dhëna burimore kryesore ku mund të mbështeten dhe historianët për të ndërtuar historinë e Epirit. Në bazë të këtyre burimeve pellazgët përbëjnë një popull parahelenik. E para kjo, e dyta: nuk mjafton të mbështetesh i sigurt vetëm te një autor, kushdo qoftë ai. Lista e autorëve të njëzet shekujve të fundit të e.s., për të cilët pellazgët e Epirit janë ilirët e Epirit është shumë më e gjatë se ajo e autorëve që i bëjnë epirotët vetëm pellazgë ose vetëm ilirë. Mirëpo këta autorë nuk njihen në Shqipëri. Prandaj, më duket se Aleks Buda sikur është nxituar me qëndrimin kritik ndaj shkrimtarëve shqiptarë të sh. XVI-XVII. Një qëndrim të tillë ai mban gjithashtu ndaj ideologëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare që na paskan përqafuar idenë intuitive mbi prejardhjen e shqiptarëve nga pellazgët legjendarë parahelenikë… (Aleks Buda, 1976, p. 45, në përkth. në fr.).
Akademik Aleks Buda vërtet është mësuar më së miri si historian në Universitetin e përmendur të Vjenës, por Sami Frashëri, ndoshta vetëm me Zosimean e Janinës në greqisht, i shtytur fort nga pasioni për mëmëdhenë, ka bërë çmos për të lexuar sa më shumë nga autorët e vjetër grekë dhe për të ditur sa më mirë se kush kanë qenë banorët e hershëm të Dangëllisë dhe të vendeve përreth. Kështu, dhe Gavril Darë i Riu dhe sa e sa të tjerë, që tërë hapësirën gjeografike nga deti Jon deri në lumin Strimon të Maqedonisë e quajnë vend të populluar nga pellazgët. Prandaj, më thotë mendja se ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare që përmenda, i kanë njohur pellazgët më mirë se ne. Epirotët e lashtë kanë qenë njëkohësisht edhe ilirë. Si shpjegohet kjo: dhe pellazgë dhe ilirë?! Epirotët kanë qenë ata që kanë qenë, ndërsa autorët që shkruajnë për ta ndryshojnë; disa i bëjnë epirotët pellazgë, disa të tjerë, – ilirë. Po japim një shembull mjaft bindës. J.-L. Lamboley, i njohur edhe në Shqipëri, i mbështetur në traditën e Varronit, parashtron se daunët, peuketët dhe japygët e vendosur në Italinë Jugore kanë prejardhje të trefishtë nga Kreta, nga Iliria Jugore dhe Italia Veriore.
Tradita kretase, shton ai, është më e hershmja; ajo dëshmohet nga Antioku dhe Herodoti (VII, 170)… Këto tri fise, në Kretë janë pellazgë, kurse në Itali, – ilirë. Pse kaluan denë për të dalë nga Kreta në Italinë e Jugut, ata nuk kaluan ndonjë ylber mitologjik për të ndërruar etnicitetin. Po atëherë? Për fiset e lartpërmendura në Kretë e më gjerë shkruajnë autorë grekë dhe për të njëjtët fise në Itali shkruajnë autorë jo grekë. Kjo më duket e kapshme them për ata që e lexojnë. Të tilla raste ka me gjithë mend shumë. Në burime të tjera flitet për Tezeun (Teseun), themeluesin e Brindisit, me heronjtë Japyx, Daun e Peuket, këta pasardhës të Pellazgut, heroit eponim të pellazgëve2. Nga ana tjetër, Dauni, Mesapi dhe Peuketi, personazhet eponimë të fiseve të daunëve, mesapëve dhe peuketëve, janë bijtë e ilirit Lykaon, i cili është bir i Pellazgut.
Gjithashtu, sipas versionit dhe variantit më të përhapur, Macedoni, heroi eponim i maqedonasve të vjetër, është bir i ilirit Lykaon, birit të Pellazgut. Raste të tilla, që dëshmojnë se pellazgët dhe ilirët përbëjnë të njëjtën etni janë aq të shumtë sa duhen disa botime që të mund të shpërndahen në to. Ky është shkaku i këtij reagimi të disa intelektualëve shqiptarë, sado të thelluar qofshin në lëmenj të ndryshëm të dijes, që nuk lidhen me pellazgologji ose ilirologji. Tashmë kemi dhe të dhëna gjuhësore e arkeologjike që provojnë se pellazgët nuk përbëjnë popull mitologjik, por janë ilirët. Rol të rëndësishëm në studimin e pellazgjishtes luajnë dhe M. Budimiri me V. Georgievin që njihen më mirë në Shqipëri. Dijetari i njohur F. Braudel mbron se “ …deri më sot, gjuha greke ka trashëguar një numër të madh fjalësh të huaja.
Këtë e shprehin qartë toponimia dhe onomastika. Vende të përmendura si Korinthi, Tirynthi, Athina ose mali i Parnasit… nuk mbajnë emra grekë…”. D. Briqueli shton se gjuha greke ruan terma të tjerë që u përkasin florës dhe faunës së Mesdheut. Këto terma greqishtja i ka trashëguar prej gjuhës së paraardhësve. Disa krahina të Greqisë si Thesalia, Keosi, Beotia, ishujt e detit Jon dhe atij Adriatik kanë qenë banuar nga pellazgët. Kështu shkruan dhe R. Bell ndër sa e sa të tjerë. Ky autor i merr si pellazgë ilirët, që kishin zbritur në Ballkan… Akademik M. Sakellariou (Athinë) nxjerr në pah disa fakte të tjera interesante: Në sh. XI para e.s., në gadishullin ballkanik zotëron një thalasokraci pellazgjike. Siç dihet, tashmë nga shumë autorë të sotëm, në sh. XII-XI para e.s. vërshojnë valë të tjera ilire në Ballkanin Perëndimor e më gjerë, duke përfshirë Maqedoninë sigurisht dhe vendosin një thalasokraci ilire. Pra, në faqet më lart dhe këtu bëhet fjalë për thalasokraci pellazgjike dhe thalasokraci ilire në të njëjtën kohë dhe në të njëjtat ujëra territoriale.
Ky fakt mendoj se mund të shpjegohet vetëm kështu: pellazgët e M. Sakellariout (1977) dhe të autorëve të tjerë që mbrojnë pikëpamjet e tij janë ilirët e autorëve të tjerë, kryesisht gjermanishtfolës dhe angloamerikanë. Albanologu E. Cabej (1976), pellazgologu M. Sakellariou (1977), dhe arkeologu A. Sherratt (1999), pavarësisht nga njëri-tjetri, të mbështetur në të dhëna burimore të ndryshme, shprehin dhe mendime të ndryshme sigurisht por, të tre këta studiues të njohur janë të thuash të një mendje për çështjet më esenciale: vendin dhe kohën kur janë formuar pellazgjishtja ilirishtja dhe shqipja (e vjetër), si dhe përhapjen e tyre në Ballkan. Si përfundim, pellazgjishtja e M. Sakellariout, ilirishtja e A. Sherratit dhe shqipja (e vjetër) e Eqrem Çabejt do të jenë formuar afërsisht në Evropën Qendrore, afërsisht në të njëjtën kohë. Ndër këta dijetarë të thelluar, sa më i vonë të jetë autori, aq më i sigurt është, sepse ka studiuar të dhëna të panjohura më parë.
Për pjesën jugore të gadishullit Ballkanik, të thuhet sot se epirotët e vjetër nuk janë pellazgë, por janë ilirë, është njëlloj sikur të thuhet sot se çamët dhe labët nuk janë shqiptarë, por janë arbër, ose anasjelltas. Akademikë e profesorë të huaj studiojnë arkeologjinë dhe gjuhësinë pellazgjike, kurse ne themi ende jo, sepse “kështu ka thënë ky” ose “ashtu ka thënë ai”. Shënim. Më shumë se kaq ndoshta nuk mund të shkruhet në një artikull. Kush interesohet më shumë për problemet që ngrihen këtu, duhet të lexojë në punimet e mia përkatëse, tashmë të botuara. Nëse ndokush nuk bindet (çka s’e besoj kurrë), mund të ndërmerret një debat me gojë ose me shkrim, por me argumente, sigurisht.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
