TIRANE- Heshtje nga kryeprokurori Adriatik Llalla përballë faktit që ILDKPKI në tre vjet nuk ka konstatuar asnjë rast konflikti interesi. Me tagrin kushtetues dhe ligjor për të nisur hetim verifikues për shpërdorim detyre, duket se Llalla e ka mbrojtur ish-vartësin e tij.

Edhe pse për tre vjet rresht Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit nuk ka konstatuar asnjë rast konflikti interesi, ky fakt duket se nuk i ka shqetësuar institucionet mbikëqyrëse të tij. Sipas një shkrimi të botuar sot në “Panorama”, Kuvendi dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk kanë shprehur deri tani ndonjë rezervë për elementët e shpërdorimit të detyrës nga ana e ILDKPKI. Kuvendi, kryesisht komisioni i ligjeve i ka dhënë mbështetje maksimale kryeinspektorit Shkëlqim Ganaj gjatë raportimeve në Kuvend.

Nga ana tjetër asnjë procedurë verifikuese për shpërdorim detyre nuk ka nisur nga Prokuroria e Përgjithshme, institucion që ka tagrin kushtetues dhe ligjor për ta bërë këtë. Nga ana tjetër, kryeinspektori Ganaj iu është kundërvënë prokurorëve për pushimin e kallëzimeve penale për fshehje pasurie ndaj gjyqtarëve, por asnjëherë nuk ka përmendur minalisht kryeprokurorin. Një tolerancë e dukshme kjo, që të bën të besosh se njohja personale e Llallës dhe Ganajt, ka bërë që ndaj këtij të fundit të mos nisë asnjë hetim.

Lalla dhe Ganaj kanë punuar në të njëjtin institucion prej vitit 2008 deri në 2012. Pas emërimit të Lallës në krye të prokurorisë, Kuvendi me votat e të djathtës, asokohe në pushtet vendosi në postin drejtues të ILDKPKI, Zana Xhukën. Kjo e fundit u shkarkua gjatë qeverisjes së rilindjes, pas 14 muaj drejtimi të inspektoriatit, ndërkohë që u bë objekt i një komisioni hetimor parlamentar. Në bazë të një procedure të rrallë parlamentare u mandatua si kryeinspektor i ILDKPKI Shkëlqim Ganaj. Roli i tij në krye të këtij institucioni, jo pak herë është kritikuar nga opozita, për anshmëri politike. Ndërkaq, sipas ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit ka rol kryesor, në procesin e vettingut. Sipas ligjit, institucioni duhet të raportojë vetëm para Kuvendit, por për opozitën është e pamjaftueshme, pasi sipas saj, fryma e institucionit është pranë qeverisë, ndërsa vetë Ganaj është nën varësinë e kryeministrit Rama. Ky ishte një prej argumentave të artikuluara nga të djathtët në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: