SHKUP- Një ditë pas skandalit që ndodhi me rastin e ndeshjes Shqipëri-Izrael, ku tifozët e quajtur “Shvercerat” nga Shkupi iu ndalua hyrja në territorin shqiptar, kanë reaguar këta të fundit. Në faqen e tyre zyrtare në rrjetin social ‘Facebook’ ata kanë shprehur indinjatën e tyre në lidhje me vendimin absurd, që ishte në kuadër të rritjes së masave dhe garantimit të sigurisë për shmangien e ndonjë konflikti në stadium.
Pavarësisht se ata theksojnë se nuk dihen arsyet e ndalimit, tifozët shqiptarë të Maqedonisë nuk kursejnë as thirrjet për kombëtaren e futbollit, duke thënë se: “Shvercerat ndalohen ne kufirin “Qafa Thane” arsye nuk dihet…Forca MEMEDHE”. Po ashtu, ‘Shvercerat’ kanë shpërndarë në ‘FB’ edhe faqen e të përditshmes ‘Gazeta Shqiptare’ e cila në kryeartikullin e saj trajtonte çështjen e mbylljes së kufirit për tifozët kuqezi. Sakaq, ata kanë shpërndarë edhe dokumentin e lështuar nga pika kufitare Qafë-Thanë.
Ndërkohë, në dokumentin e lëshuar nga pika e kalimit kufitar Qafë-Thanë, pjesë e Drejtorisë së Kufirit të Korçës thuhet shprehimisht: “Nuk disponon dokumentacionin e nevojshëm që justifikon qëllimin e udhëtimit dhe qëndrimit në Shqipëri”. Po ashtu, edhe tifozët e quajtur ‘Plisa’ u larguan nga stadiumi, pasi nuk u lejuan që të mbanin pankartat e tyre dhe simbolet.
(ed.me/BalkanWeb)
