TIRANË- Partia Demokratike ka përsëritur sot kërkesën drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar rreth importimit të medikamenteve. Sipas deputetes së PD-së, Albana Vokshi një procedurë kjo e modifikuar me urgjencë nga Ministri i Shëndetësisë, i cili akuzohet edhe për favorizim të firmës së tij në “Tenderat për Shëndetin”.

“I kërkojmë prokurorisë të bëjë një hetim të gjithanshëm për të gjitha procedurat që ndiqen për regjistrimin dhe qarkullimin e barnave. Hetimi ka rëndësi jetike pasi bëhet për shëndetin e rrezikuar të qytetarëve. Qeveria ka skaduar, jo vetëm se mashtroi për Shëndetësinë falas, por se ilaçet e farmacive të donatorëve të saj, janë kthyer në stoqe medikamentesh, që po rëndojnë në jetë njerëzish. Ministria e Shëndetësisë gënjen me shkrim dhe firmë, duke shpërndarë shkresat që siç duket i përgatit në bodrumet, ku mbajnë medikamentet e trafikuara dhe të importuara pa certifikatë sigurie dhe pa markën e kompanive prodhuese”, ka deklaruar Vokshi.

Ajo ka theksuar se barnat me leje të posaccme importi nuk kanë certifikatën e origjinë dhe prodhuesi nuk garanton nëse janë të vërteta ose false. “Në komunikatë, Beqja thotë se “barnat që vendosen në treg, qoftë ato që janë të regjistruara, apo ato që ligji ia lejon ministrit t’i vendosë me leje të posaçme importi në treg, kanë një origjinë gjeografike të mirëpërcaktuar dhe përmbushin të njëjtat kërkesa që lidhen me importimin e tyre në Shqipëri.” Kjo s’është aspak e vërtetë. Barnat që Ministri vendos me leje të posaçme importi, nuk kanë certifikatën e origjinës dhe prodhuesi nuk garanton që janë të vërteta apo false. Beqja thotë se janë zbatuar kushtet specifike të transportit. Gënjen. E vërteta është që kushtet specifike nuk janë respektuar. Ndaj edhe sot i shtrojmë Ministrit disa pyetje të tjera: Kush mban përgjegjësi për ato barnat që ju keni vendosur me leje të posaçme importi? Nga cilat kompani apo distributore në Turqi janë importuar? A kanë certifikatë origjine? Në çfarë rruge janë sjellë ato barna? Me çfarë mjetesh dhe kushtesh janë transportuar? Beqja duhet të bëjë publik itinerarin e barnave të importuara me leje të posaçme nga ai vetë”, ka thënë deputetja e PD-së.

Vokshi ka kërkuar informacione mbi transportin e medikamentit “Altuzan”, të importuar nga Turqia, por edhe transparencë për atë që ajo i quan seri skandalesh në shëndetësi.

“Partia Demokratike i kërkon Ministrit të Shëndetësisë të publikojë rekordet e temperaturave të regjistruara gjatë transportimit të Altuzanit, medikamentit të importuar nga Turqia , që u përdor në seancat e kimioterapisë me pacienten që ndërroi jetë një javë më parë. Beqja thotë se çmimi i barnave është ulur në 30%. Gënjen. E vërteta është se Altuzani i Ministrit, është vetëm 7% më lirë se ekuivalenti i tij i propozuar nga Zvicra, dhe është i pasigurt, i pacertifikuar, i dëmshëm për jetën. Nuk mbulohet dot ky abuzim as me muskujt e bodigardëve për gazetarët, as duke i ikur medias si djalli temjanit. Duhet transparencë për serinë e skandaleve në Shëndetësi. Ministri e ka kthyer sektorin e Shëndetësisë në një çiflig në rrezik epidemie”, u shpreh Vokshi.

Më tej ajo tha se “Partia Demokratike përsërit kërkesën drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar rreth importimit të medikamenteve, një procedurë e modifikuar me urgjencë nga Ministri, i cili akuzohet edhe për favorizim të firmës së tij në “Tenderat për Shëndetin”. “Gjithashtu, i kërkojmë prokurorisë të bëjë një hetim të gjithanshëm për të gjitha procedurat që ndiqen për regjistrimin dhe qarkullimin e barnave. Paniku është krijuar nga menaxhimi korruptiv e klientelist i shëndetësisë në kurriz të jetës së qytetarëve. Paniku është krijuar nga skandalet e njëpasnjëshme që po dalin në dritë. Panikun e ka krijuar qeveria”, ka përfunduar Vokshi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: