Katër të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, në 21 janar 2011. Ishte një protestë e thirrur nga opozita e Edi Ramës, kundër qeverisë së Sali Berishës. Më shumë se 100 mijë protestues, pushtuan bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe e kthyen kryeqytetin në një arenë lufte.

Sikur të mos mjaftonin 4 të vrarët, Edi Rama dhe Sali Berisha, lëshuan akuza dhe kundër akuza ndaj njëri-tjetrit.

Dy javë më pas, një grup aktivistësh të majtë, ju bënë thirrje të rinjve, në rrjetet sociale, për të organizuar një takim. Takimi, u bë pranë Fakultetit të Drejtësisë, ku një grup bërthamë, u vetëquajt “Organizata Politike”. Parimet bazë ishin barazia e individit dhe rreshtimi pa kompromis kundër qeverisë Berisha. Ngjante si një lëvizje sindikaliste e të majtës ekstreme.

“Organizata Politike” është një grupim i ngushtë, okult, e cila ka për qëllim kryerjen e një game të gjerë aksionesh politike.

Ngjan si një lloj ambienti stërvitor ushtarak, për të përgatitur të rinj, të cilët nesër do të kryejnë akte të tjera kundër pushtetit.

Pikëpyetjet dhe etiketimet, që i bëhen kësaj organizate, janë të shumta. Sipas pjesëtareve të organizatës, janë padrejtësitë e panumërta ato që kanë lindur nevojën e këtij aktivizimi civil dhe politik.

Së pari, ata duan ti japin fund tranzicionit. Por çfarë vjen pas kësaj? Ku do të shkojë kjo organizatë, çfarë ajo kërkon dhe me çfarë mjetesh do të realizoj qëllimet e saj? A është kjo një e majtë e re, e afërt me grupet marksiste në Evropën e viteve ’60, ‘70 të shekullit të kaluar?

Kjo shtëpi, me emrin “Logu i Shkëndijës”, është baza e kësaj organizate, prej 5 vitesh. Këtu anëtarët e organizatës mblidhen, debatojnë, diskutojnë dhe marrin vendime. Portretet e Che Guevarës, Antonio Gramshit, Marksit dhe përfaqësuesve të tjerë të së majtës ekstreme, veshin muret e kësaj shtëpie.

Këtu ndodh indoktrinimi dhe frymëzimi. Duket sikur këtu po dalin kadetët e rinj. Nëpërmjet muzikës dhe librave, kureshtjes dhe misticizmit, ata ia dalin të thithin gjithmonë të rinj të tjerë.

Pavarësisht rritjes dhe zgjerimit të synimeve të “Organizatës Politike”, ajo mbeti besnike e protestave, për kauzën e parë, për të cilën u krijua. Çdo 21 janar, përfaqësues të kësaj organizate, kanë protestuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Për shkak të kësaj proteste, aktivistët, në vitin 2012 dhe 2013 u shoqëruan në polici.

Në pranverën e 2013, ata ishin në një front të përbashkët me opozitën. Kishte ardhur koha që dhe ata të shihnin shpresë. Kjo shpresë ishte Rilindja e Edi Ramës, ku ata besonin, për më shumë drejtësi dhe paqe sociale.

Zgjedhjet u fituan nga Edi Rama dhe “Organizata Politike”, ndjehej si pjesë e kësaj fitore. Kryeministri Edi Rama po bënte betimet e radhës për besnikëri, ndaj mbështetësve.

Por organizata nuk harroi. Tre muaj, pas fjalimit të Ramës, ata u takuan në shesh, për ti kujtuar atij, premtimet e dhëna. Ishin ditët, kur shoqëria civile, protestoi në rrugë kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri.

Mes dhjetëra e mijëra protestuesve, në shesh ishte dhe “Organizata Politike”. Pas fitores kundër armëve kimike në Shqipëri, “Organizata Politike” shkoi me 21 janar pranë Piramidës. Ata u përpoqën ti kujtonin qeverisë së majtë, drejtësinë e munguar. Si për ironi, policia sërish i shoqëroi në komisariat. Aktivistët nuk po e kuptonin nëse në pushtet ishte Rama apo Berisha?!

Në ditët që vijuan, “Organizata Politike” nuk shihte më asnjë ndryshim mes kryeministrit Rama dhe Berishës. Në të gjitha protestat e organizuara nga Lëvizja për Universitetin, “Organizata Politike” ka qenë pjesë thelbësore e saj. Me tone të ashpra dhe duke demonstruar herë pas here forcë. Në 4 Maj 2015, ata i vunë kyçin Ministrisë së Arsimit.

Mbi të gjitha duhej mundur frika. Në 2 nëntor 2015, nëpërmjet një aksioni model, ata hodhën dhjetëra vezë mbi Kryeministrin Rama. Tetë nga aktivistët u ndaluan dhe u shoqëruan forcërisht në komisariat. Gjyqi ndaj tyre vazhdon ende edhe këto dite.

“Organizata Politike”, ishte pjesë e rëndësishme e protestave që u organizuan, për mbrojtjen e parkut të liqenit artificial të Tiranës. Sërish policia ushtroi dhunë mbi ta dhe i shoqëroj në komisariat.

Të tradhtuar nga Edi Rama dhe Partia Socialiste, të cilët tre vjet më parë kishin votuar kundër importit dhe mbetjeve, aktivistët e “Organizatës Politike”, ndërmorën aksione dhe protestuan kundër ligjit, që po miratohej në parlament. Kazanët e plehrave, morën emrat e deputetëve që votuan pro këtij projektligji.

Përveç ligjit të mbetjeve, Ligji i Ri i Arsimit të Lartë, u bë një nga shqetësimet më të mëdha të “Organizatës Politike”. Ky ligj preku dhe goditi drejtpërdrejt interesat e pjesës më të madhe të maturantëve, të shkollave shqiptare. Situata e krijuar ishte kaotike. Mllefi, arroganca, por mbi të gjitha indiferenca e Ministrisë së Arsimit kapërcyen çdo kufi.

“Organizata Politike”, ndërmori aksionin e saj. Në një takim më të rinjtë e FRESSH-it, aktivistja Mirela Ruko, pasi përshkoi mes për mes sallën, derdhi një shishe me salcë mbi kokën e Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.

I pranishëm në atë sallë, Edi Rama, jo vetëm bëri sikur nuk e pa ngjarjen, por së bashku me Pandil Majkon u shfaq në tribunë duke interpretuar një dialog kllounësh. Reagimi qytetar ndaj aktit, të përskuqjes së ministres, ishte i madh. Mbi të gjitha, kjo ngjarje u bë objekt i rrjeteve sociale. Por momenti më i rëndësishëm ishte frika e pushtetarëve nga ky lloj poshtërimi. Ky ishte dhe shkaku i reagimit të ashpër të qeverisë dhe medias pranë saj.

“Organizata Politike” synon që ti detyrojë qeveritarët dhe politikanët, të dëgjojnë zërin e saj. Fushata e ardhshme elektorale, do të jetë një event i rëndësishëm për organizatën. Shumë njerëz ngrenë pikëpyetje dhe aman sime për Organizatën Politike. A është ajo një organizatë e majtë ekstremiste? Shembulli i brigadave të kuqe në Itali, apo lëvizjet e majta marksiste në Gjermani, shembulli që kaloi Greqia… Gjithçka mund të ndodhë… Organizata kërkon dialog, por nuk e përjashton as dhunën.
(Te Paekspozuarit)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb