TIRANË – Në 7-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë i ka dërguar një letër urimi, homologut të tij kosovar, Kadri Veseli. Në këtë letër thuhet:

“Më lejoni t’ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më të ngrohta në emër të Kuvendit të Shqipërisë. Sot është një ditë e shënuar jo vetëm për popullin e Kosovës por për të gjithë shqiptarët, ndaj dhe i gjithë kombi ynë kujton me mirënjohje të thellë politikën e mençur dhe vizionare të Presidentit Ibrahim Rugova dhe të gjithë së bashku nderojmë e përulemi përpara sakrificës së heronjve të UÇK-së me në krye Komandantin legjendar Adem Jasharin.

Shtatë vjet pas aktit të guximshëm e historik të shpalljes së pavarësisë, akt i cili i ka shërbyer jo vetëm lirisë dhe begatisë së popullit të Kosovës, por edhe paqes e stabilitetit në rajonin tonë, jemi krenarë për arritjet dhe sukseset e deritanishme, dhe ndjehemi shpresëplotë për të ardhmen e sigurt të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Shqipëria dhe partnerët tanë ndërkombëtarë do vazhdojnë t’a mbështesin fuqimisht forcimin demokratik e institucional të Kosovës, shtimin e njohjeve të saj ndërkombëtare si dhe konsolidimin e perspektivës evropiane për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Duke shprehur dhe një herë urimet e mia më të ngrohta, si dhe dëshirën për lumturi e prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës, lutem pranoni, i nderuar Zoti Veseli, ndjenjat e konsideratës time më të lartë,” e ka përfunduar Meta, letrën e tij.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb