KOSOVE-Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie është shprehur gjatë një interviste për RTV Dukagjini se falë shërbimeve sekrete dhe policisë së Kosovës u parandalua një sulm i mundshëm terrorist në Elbasan, më 12 nëntor gjatë zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Izrael.

“Është me rëndësi ta dimë se lufta ndaj ekstremizmit të dhunshëm është diçka me të cilën duhet të merren të gjitha shtetet. Në Shtetet e Bashkuara shqetësohemi për këtë, sepse nuk është çështje vetëm e Ballkanit, apo e Kosovës. Ne kemi një partneritet me Kosovën, ndërsa ajo ka miratuar disa ligje të rëndësishme, ka burgosur ekstremistë, kurse numri i atyre që shkon në Irak dhe Siri për të luftuar është ulur kohët e fundit”, ka thënë ai.

Më tej Greg Delawie shprhet se “Elementi më mbresëlënës në këtë histori ka të bëjë me atë që ndodhi në nëntor në ndeshjen e futbollit ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë, që fillimisht ishte menduar të luhej në Shkodër, por u transferua në Elbasan. Si rezultat i veprimeve të Policisë së Kosovës dhe agjencive qeveritare të Kosovës, komploti terrorist u shkatërrua plotësisht. Ka pasur gjasa që të kishte shumë viktima nga ai sulm. Më bëri përshtypje që Izraeli e mundi Shqipërinë 3:0, por të gjithë ishin fitues, sepse të gjithë shkuan gjallë në shtëpi. Kjo ndodhi për shkak të veprimeve që zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe partnerët e tyre në rajon ndërmorën për t’i mbrojtur jetët e pafajshme’’, tha Delawie.

Ambasadori i SHBA-ve shtoi se Qeveria amerikane është e mahnitur me punën e Qeverisë së Kosovës në trajtimin e problemit të ekstremizmit të dhunshëm.
“Kosova është ndër partnerët tanë më të fortë dhe ne mirëpresim bashkëpunimin për këtë çështje të rëndësishme”, ka thënë ambasadori amerikan.
https://www.youtube.com/watch?v=31Anlu0Kc0M
(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: