Nga DARINA TANUSHI*

Ethet e zgjedhjeve vendore sa vijnë e po shtohen. Kur ende nuk janë ndarë saktësisht bashkitë dhe kandidatët që do të përfaqësojnë koalicionin e majtë në zgjedhjet e 21 qershorit, nga ana e opozitës po fillojnë largimet e para. Kështu, burime nga partitë politike bënë të ditur për “Gazeta Shqiptare” se kryetari aktual i Bashkisë së Librazhdit, Shefki Çota, përfaqësues i Partisë Demokratike, pritet të rikandidojë për këtë bashki, por nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Tashmë është vendosur që këtë bashki do ta drejtojë një përfaqësues nga LSI. Kështu edhe në Bashkinë e Lezhës, që konsiderohet një nga bashkitë e nivelit të parë, do të jetë me sa duket i njëjti kandidat nga LSI që do të drejtojë. Kreu i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj shprehu dje, gatishmërinë për të rikandiduar për një mandat të tretë në krye të kësaj bashkie. “Normalisht, me kohën e duhur do të merret edhe vendimi i duhur, nëse qytetarët lezhjanë e kanë të nevojshme që Viktor Tushaj të vazhdojë për një mandat të tretë. Unë jam akoma kryetar bashkie në detyrë, vazhdoj të bëj detyrën time për qytetarët lezhjanë dhe do përpiqem ta bëj sa më mirë detyrën. Nuk përjashtoj as edhe një lloj alternative”, – tha dje Tushaj për “Ora News”. Edhe dje, mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta, është diskutuar në lidhje me ndarjen e bashkive kryesore, por ende nuk është finalizuar një dokument i brendshëm mes tyre. Fillimisht Rama i propozoi Metës që PS të propozonte kandidatët në 9 bashkitë e nivelit të parë, ndërsa LSI do të propozonte në 3 prej tyre, si Kukësi, Lezha dhe Berati. Diskutime të gjata ka pasur për Gjirokastrën, por duket se ka pasur mjaft presion nga baza e PS-së së këtij qyteti për të mos ia lënë LSI-së.

BASHKITË
Pas këtyre ecejakeve të dy kryetarëve të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, Rama e Meta, duket se afërsisht LSI do të ketë kandidatët e saj në rreth 15 bashki. Pogradeci, Skrapari, Patosi, Selenica, Memaliaj, Puka, Bulqiza, Vora, Kruja, Cërriku, Përrenjasi e Librazhdi, por edhe Lushnja, mendohet se do t’u kalojnë përfaqësuesve që do të vijnë nga radhët e LSI-së. Megjithëse pak ditë më parë, kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili u shpreh se nuk do të ketë ndarje me thikë mes partive, por do të zgjidhen njerëzit më të mirë që të dyja partitë kanë në secilën bashki, për të arritur maksimizimin e fitores.

Ndërkohë, Partia Socialiste do të mbajë për vete Bashkinë e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Fierit, Vlorës e Gjirokastrës. Ndërsa si bashki të nivelit të dytë mbeten: Malësia e Madhe, Hasi, Tropoja, Fushë-Arrëzi, Vau i Dejës, Mirdita, Dibra, Mati, Kurbini, Klosi, Shijaku, Kamza, Kavaja, Rrogozhina, Peqini, Belshi, Divjaka, Kuçova, Ura Vajgurore, Roskoveci, Poliçani, Gramshi, Maliqi, Devolli, Himara, Tepelena, Këlcyra, Përmeti, Kolonja, Libohova, Dropulli, Delvina, Livadhja e Konispoli. Gjithsesi, kjo nuk është ndarja përfundimtare, pasi në ditët në vijim, negociatat do të zbresin edhe në nivele të dyta të përfaqësuesve partiakë mes LSI-së e PS-së. Pak ditë më parë, kryetari i Kuvendit dhe njëherësh i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se: “Nuk kemi ende një marrëveshje. Jo për ndarjen e zonave, sepse nuk ekziston ky koncept, por për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar bashkie”.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb