TIRANE- Seanca e sotme plenare është shoqëruar me replika të forta mes deputetit Ben Blushi nga njëra anë, dhe kryeministrit Rama, ministres Nikolla, dhe deputetit Braçe, nga ana tjetër. Gjuha u bë edhe më e ashpër gjatë përplasjes së deputetit Blushi dhe ministres së Arsimit, ku u kalua deri në fyerje personale.
Menjëherë pas përfundimit të seancës, ministrja Nikolla ka folur përpara kamerave, duke i kërkuar ndjesë publike të gjithë nxënësve, mësuesve, e qytetarëve, për fjalorin e përdorur gjatë seancës së sotme plenare.
“Kërkoj një ndjesë për gjithë mesësit, nxënësit prindërit që panë sot Lindita Nikollën në një moment ndryshe nga ai që e karakterizon, ndryshe nga qetësia. Por për shkak të ndërhyrjeve vulgare nga vendi, ishte pamundur t’i qëndroje një sulmi të paprecedentë të një njeriu që pretendon të jetë kryetar i një partie politike por vijon me gjuhën e ashpër, duke folur nga vendi për këdo, dhe duke nxjerrë nga goja të pavërteta. Jo nuk do ndodhë më, por është e pamundur për një njeri prej gjaku dhe mishi të mos reagojë ndaj gjithë atyre shpifjeve dhe akuzave”, tha ministrja Nikolla.
(el.sp/BalkanWeb)