Në intervistën pas ndeshjes kundër Tiranës të fituar 4-1, trajneri i Kukësit Ernest Gjoka ka mohuar zërat që flisnin për tolerimin e ndeshjes nga kryeqytetasit. Jo vetëm këtë të fazës së katërt, por edhe atë të një faze më parë që Kukësi e fitoi 1-2 në “Selman Stërmasi, Gjoka e ka cilësuar si një fitore të merituar dhe aspak si një ndeshje të trukuar.

Për tensionin në pjesën e parë
“Po sigurisht që isha në tension se nuk po dilnim ku duhet, nuk funksionuan mirë detyrat taktike sidomos në sulm. Pastaj ajo sjell stres. Stresi vjen që nga fusha në pankinë e me radhë. Janë ndeshje delikate që ne nuk duhet të bëjmë asnjë hap fals më, si ai hapi fals që bëmë ndaj Vllaznisë”.

Akuzat për “dhurata” të ndërsjella me Tiranën
“Absolutisht jo, mendoj që ka qenë çdo gjë e luftuar dhe e merituar. Kukësi po meriton atë që po jep në fushë, kur e kemi merituar e kemi marrë, kur s’e kemi merituar, jo më larg se para dy javësh, nuk morëm tri pikët në fushën tonë”.

Ndryshimi i paraqitjeve me Tiranën nga dy fazat e para
“Unë mendoj që duhet të shihni në vazhdimësi se si ka ardhur Tirana deri te ne, nëse ka bërë mirë gjatë kësaj kohe dhe te ne nuk dha maksimumin. Por kur Tirana vuan prej kaq javësh dhe ne kërkojmë prej kaq javësh të jemi në vendin e parë në klasifikim… Tirana bëri maksimumin e saj, u mundua të bënte sidomos në pjesën e parë, në të dytën diferencat i bënë lojtarët tanë si Emini apo Pejiç”.

Për gabimet në pjesën e parë dhe ndryshimet në pjesën e dytë
“Unë nuk arrij ta kuptoj. Nuk do të thotë se meqë duam të jemi kampionë duhet të shënojmë që në minutën e parë. Rrjedha e lojës është e ndryshme, ti të kërkosh golin, kundërshtari kërkon të mbrohet dhe kërkon gol. Rastet i patëm dhe nuk ditëm t’i zgjidhim, e rëndësishme është që skuadra e zgjidhi situatën kur duhej me lojtarët kryesorë. Futbolli prandaj është i bukur, të ishte ashtu do luhej vetëm 20 minutat e para të ndeshjeve brenda fushe pastaj të tjerat të mos i luanim”.

Për lëvizjet taktike në ekip
“Prandaj ndryshuam lojtarë që kishim vënë në krah për t’i dhënë frymëmarrje, ndryshuam, gjetëm golin dhe gjërat erdhën rrjedhshëm. Në futboll është e rëndësishme që në momentin e duhur të marrësh maksimumin, se kur e merr, në minutën e parë, të dytë, apo të 94-t, e rëndësishme është të marrësh maksimumin”, u shpreh Gjoka për emisionin “Gol pas Goli”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb