TIRANE– Kur na ndajnë vetëm pak orë nga ‘skadimi’ i afatit që zyrtari i DASH, Hoyt Yee u la liderëve politikë, për t’u ulur në një tryezë për zgjidhjen e ngërçit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi sërish aleatët, takim nga i cili siç duket nuk ka lajme të mira. “BalkanWeb” mëson se takimi, i treti në radhë për ditën e sotme, nisi në orën 21:00 dhe zgjati 20 minuta. Fill pas mbarimit të mbledhjes, gazetarja Marsela Karapanco, e cila ka komunikuar me aleatet e PD, raporton për ‘BalkanWeb’ se ata kanë deklaruar se kryeministri Edi Rama nuk ka pranuar paketen McAllister. Ndërkohë mësohet se Basha ka informuar aleatët se shefi i qeverisë ka refuzuar të pranojë shtyrjen e datës së zgjedhjeve përtej 18 qershorit.

Burime nga PD bënë me dije për “BalkanWeb” se opozita ka rënë dakord për vettingun dhe ka dhënë ‘Ok’ për paketën McAllister. Kjo paketë kishte afatet kushtetuese ku parashikonte që zgjedhjet mund të mbaheshin deri në fund të korrikut.

TAKIMET E BASHES ME ALEATET DHE PAKETA MCALLISTER
Sakaq, gjatë mbledhjes së dytë të Bashës me aleatët është diskutuar edhe për identifikimin biometrik të votuesve dhe për numërimin elektronik. Numërimi dhe votimi elektronik sipas opozitës, janë të mundshme brenda një kohe të shkurtër, duke konsideruar kështu shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Po ashtu, Basha takoi sot dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, fill pas takimit me aleatët.

Në përfundim të këtij takimi të dytë me ish-kryeministrin Berisha, burime nga PD thanë se “palët po shkojnë drejt arritjes së marrëveshjes”. Të njëjtat burime sqaruan për “BalkanWeb” se “në diskutim është paketa McAllister dhe e Ramës”. Në limitet e afatit të lënë nga zyrtari i lartë amerikan, pas takimeve të djeshme në Tiranë dhe paketën McAllister që u rivu në tavolinën e negociatave për zgjidhjen e ngërçit politik në vend, pritet vendimi i Bashës për të rinisur ose jo negociatat me kryeministrin.

Zyrtari amerikan deklaroi pas takimeve me Ramën e më pas me Bashën se “Ekziston tashmë një propozim që u paraqit, u ofrua nga anëtarët e Parlamentit Europian, z. Fleckenstein dhe z. McAllister. Siç e dini, ne e mbështesim atë. Mendojmë se është një propozim i ndershëm dhe shpresojmë që partitë do ta pranojnë si mjet për të arritur një marrëveshje për të mundur që të marrin pjesë në zgjedhje”. Oferta në tavolinë tashmë vlen për Bashën, po ashtu edhe për Ramën, i cili në negociatat e fundit me kryedemokratin në prani të Nishanit, ofroi shumë më pak se paketa McAllister, duke akuzuar PD se nuk e fitoi shansin në kohën e duhur. Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së Basha kanë zhvilluar dy takime kokë më kokë në prani të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, por nuk kanë mundur të arrijnë në një marrëveshje.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb