Është e vështirë për ta kuptuar, madje mund të ndodhë që ta ngatërroni edhe me patologji të tjera. Herpes Zoster, ose siç njihet ndryshe në gjuhën popullore ”zjarri i natës”, është një sëmundje virale e cila prek kryesisht moshat e treta dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike, tumorale apo sistemike.
Në një intervistë për “Shëndeti”, Paskuela Dano, mjeke infeksioniste pranë Qendrës Shëndetësore e Specialiteteve Nr.2, shpjegon gjithçka rreth kësaj sëmundje, nga simptomat gjer tek diagnostikimi.
Çfarë është zjarri i natës dhe çfarë e shkakton atë?
Zjarri i natës është termi popullor i asaj që gjuha mjekësore e njeh me termin ‘Herpes Zoster’. Kjo sëmundje paraqet në formë të riaktivizimit të virusit të Variçeles Zoster, i cili ka qëndruar për një kohë të gjatë në gjendje latente (qetësie) në një prej ganglioneve sensore të nervave dorsal të palcës së kurrizit ose të nervave kraninale. Karakterizohet klinikisht nga errupsione kutane eritematozevezikuale, me vendosje monolaterale dhe të shoqëruara me sindromin e dhimbjes në nivelin e vendit të prekur.
Cilat janë grupmoshat më të predispozuara për t’u prekur nga një infeksion i tillë?
Shfaqja e një infeksioni të tillë është e lidhur ngushtë me prezencën e imunosupresionit (ulje e imunitetit të njeriut) tek i sëmuri dhe me moshën e tij. Herpes Zoter është kryesisht sëmundje e të rriturve, me incidencë më të lartë tek të moshuarit që mund të vuajnë nga sëmundje kronike, sëmundje sistemike, limfoma, neoplazi apo gjendje të tjera imunodeficitare.
Cilët janë faktorët e riskut?
Faktori kryesor i riskut për këtë sëmundje është ulja e rezistencës së organizmit (imunodeficenca), e cila mund të jetë e lindur ose e fituar. Siç u përmend edhe më lart, e fituar mund të jetë në rastin e sëmundjeve kronike si (diabet, HTA, sëmundjeve sistemike ose atyre tumorale).
Në cilat zona të trupit shfaqet më shumë dhe cilat janë shenjat e hershme?
Shenja më e hershme e zjarrit të natës është dhimbja në vendin ku më pas do shfaqen edhe elementët kutan të Herpes Zosterit. Mund të shoqërohet me temperaturë dhe me dobësi trupore. Pas 2 ose 3 ditësh shfaqen njollat e kuqe në lëkurë, të cilat shumë shpejt shndërrohen në ekzanteme makulopopulare, pastaj në vezikula, pustula dhe kruste. Ekzantema është kryesisht e njëanshme, dhe në shumicën e rasteve lokalizohet në pjesën e mesme dhe të poshtme torokale, lumbare të sipërme, oftalmike por ka raste dhe në regjionin lombofemoral.
Si bëhet diagnostikimi në momentin që ende nuk janë shfaqur shenjat në lëkurë?
Në përgjithësi diagnostikimi bëhet në bazë të shenjave klinike që paraqet i sëmuri, duke pasur parasysh lokalizimin karakteristik të ekzantemës në lëkurë. Vendosja e diagnozës paraqet vështirësi përpara shpërthimit të errupsionit kutan, ku i sëmuri mund të paraqesë vetëm dhimbje dhe kjo e fundit mund të ngatërrohet me dhimbjen muskulare, me apendicitin, pleuritin etj. Në raste më të vështira për të konfirmuar diagnozën mund përdoren edhe metodat serologjike, ose dhe ato virologjike.
Cilat janë ndërlikimet më të shpeshta të Herpes Zosterit?
Komplikacionet më të shpeshta janë post herpetike, mbivendosja e infeksioneve bakteriale dhe kreatitit. Në rastin e një imunodeficence të thellë situata mund të komplikohet me përhapje hematogjene të virusit, duke shkaktuar Herpes Zoster të diseminuar (tipi vericeliform). Encefaliti është një ndërlikim i rrallë por i rëndë dhe shfaqet me cefale, të vjella, konvulsione, ngrirje të muskujve të qafës (rigiditet nukal). Në ndërlikime të tjera përfshihen dhe paralizat motore të tipit flaksid, të cilat jo gjithmonë janë të përkohshme, neutriti i nervit orbital, neuroretinitet.
A është një sëmundje që mund të përsëritet?
Duke qenë se riaktivizimi i sëmundjeve lidhet ngushtë me gjendjen imunodeficitare të organizmit, në raste të tilla mund të kemi aktivizim të sëmundjes me shumë se një herë gjatë jetës. Rreth 5% e të sëmurëve me herpes zoster mund të përsërisin një episod të 2-të gjatë jetës.
Si transmetohet, a është ngjitëse?
Transmetimi ndodh nga kontakti direkt me lëngun që përmbajnë vezikulat herpetike. Pacienti nuk është kontagioz kur këta vezikula nuk janë shfaqur akoma, si dhe kur shndërrohen në kruste.
Cilat janë masat parandaluese?
Masa parandaluese specifike nuk ka. Personat me imunitet të dobësuar duhet të shmangin kontaktin me të sëmurët me Herpes Zoster.
Si mjekohet zjarri i natës?
Terapia bazë është terapia me antiviralë dhe duhet filluar brenda 48 orëve që nga shfaqja e simptomave. Ndërsa terapia medikamentoze për dhimbjen konsiston në dhënien e natiinflamatorëeve jo steroid, opioide, gabapentin etj.
(BalkanWeb)
