Nga: AURORA KOROMANI*

 

TIRANE-Isha vetëm 23 vjeç kur u arrestova dhe më pas u dënova me burgim të përjetshëm”. Me një penë të fuqishme, Gert Gjenerali, i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit në vitin 1997 në Itali, ka përshkruar me detaje në blogun italian “Britmat nga heshtja” , ditët e tij në burgun e Spoletos në shtetin fqinj. 40-vjeçari i ekstraduar ditën e hënë drejt Shqipërisë, në çdo fjalë që ka shkruar ka shprehur pendesën e tij të thellë për jetën që ka bërë para se të futej në burg, por edhe vuajtjen e madhe që do i shkaktonte familjes së tij në Shqipëri gjatë momentit që do të dënohej me burg përjetë. Gjenerali rrëfen ditët e vetmuara në burg, netët kur ai shkrehej në vaj, bisedat me vëllanë e tij të vetëm, edhe ai i burgosur në Itali, bisedën me babanë e tij në momentin që i tregoi për dënimin e shtetit fqinj, por edhe shpresën e madhe se një ditë do fitojë lirinë për të realizuar ëndrrën e tij më të madhe, siç është ajo e krijimit të një familjeje.

PJESE NGA RREFIMI I GERT GJENERALIT
“Unë mendoj se në jetë është shumë gjë e rrallë që fati të na japë një mundësi tjetër për të rregulluar një gabim të madh që kemi bërë. Kam lexuar shumë libra në burg. Unë jam tip që nuk u vë shumë rëndësi fjalëve. Kam kaluar shumë net në mbeturinat e errëta të mëkateve të vdekshme. Më vjen keq dhe zhgënjehem kur kthehem pas në të kaluarën dhe shikoj se çfarë kam bërë apo çfarë nuk kam bërë; zhgënjehemi kur shikojmë se gjatë përpjekjeve tona për të rikuperuar të kaluarën, janë shumë të paktë ata që na falin apo ata që nuk na gjykojnë. Edhe krimineli më i keq, ndihet njeri. Por, ndihem mirë kur mendoj së mund t’i shoh në fytyrë të gjithë armiqtë e mi, pasi unë nuk kam asgjë për të fshehur. Dua të kujtoj një frazë që e përdor gjithmonë motra ime e dashur: Unë vdiqa dje, unë kam lindur sot, gjithmonë e nis nga fillimi”, shkruan Gert Gjenerali në blog.

Monologu
“Sot do të flas për botën time, burgun… Këtë vit për mua nuk ka shkollë, unë duhej të diplomohesha, por për fat të keq jam në burg dhe këtu jo çdo gjë është e sigurt. Këtu jam i trishtuar dhe qaj çdo ditë si fëmijë. Megjithatë, këtu kam kohë dhe pothuajse gjatë gjithë ditës mendoj për ditët e mia të fillimit në burg, teksa përpiqesha të respektoja, por mbi të gjitha të rrija i heshtur. Bisedat me miqtë e mi në qeli janë për mungesën e shpresës… Shumë prej nesh, përfshirë edhe mua, fajësojnë institucionet, por unë e kuptoj ekzistencën e tyre. Ajo që më shqetëson është besimi që ne mjeranët kemi përballë ligjit. Ne kemi besim te ligjet e bëra nga njerëzit që marshojnë rreth fatkeqësive tona. Unë jam një nga ata të burgosur që fajësojnë veten. Të gjithë ne kërkojmë një rrugëdalje për të shpëtuar nga ky ferr. Dikush me shkollën, dikush duke punuar, dikush duke buzëqeshur dhe duke i thënë vetes se ka ndryshuar dhe se është tjetër njeri. Ne kemi shitur buzëqeshjet tona, dinjitetin tonë, vuajtjet tona vetëm për të dalë nga ky ferr…

Kuptimi i udhëtimit tim, unë mund të them se për mua, Gertin, të dënuar me burgim të përjetshëm në një vend të huaj, larg vendit dhe popullit tim, ideja e udhëtimit tim është “kthimi”. Pas 14 viteve në burg, ëndrra ime është vetëm kthimi nga një udhëtim i mbushur me dhimbje, tragjedi dhe iluzione. Më pëlqen të mendoj se e gjithë dhimbja, vetmia, vuajtja ka kuptim për mua dhe për udhëtimin tim. Nëse nuk do ishte kështu, unë do kisha përfunduar i vrarë si gjithë miqtë e mi. Por jo, unë jam këtu i gjallë dhe, mbi të gjitha, njeri tjetër. E rëndësishme për mua është të jetoj me kurajë dhe, mbi të gjitha, nuk e humb shpresën dhe dashurinë që ndiej në zemrën time. Në burg është shumë e lehtë që ta humbasësh dinjitetin dhe ky është udhëtim shumë i vështirë. Mos më sulmoni mua në fatkeqësitë e jetës sime, por mbi të gjitha, dua të shpëtoj nga zinxhirët që më kanë ndaluar që të jem një njeri i lirë. Unë nuk jam një kriminel…”, janë fjalët që një i dënuar me burg të përjetshëm i përsërit vetes.

Ëndrrat e një të burgosuri
“Unë jetoj vetëm për ëndrrën time budallaqe (që të ketë një grua dhe fëmijët), vetëm mendimi më bën të qaj në gjunjë. Kjo është gjëja për të cilën unë nuk e fal veten time dhe dënimi im më i vështirë. Unë i pranoj gabimet e mia, pasioni im janë studimet dhe kultura… Njerëzit që unë do doja më shumë në këtë fazë janë të njëjtët: familja ime. Unë e kisha jetën në duart e mia dhe askush nuk mund të më dëmtonte më shumë sesa unë veten time. Jam një individualist që gjithë kohën mendoj për veten time dhe sidomos tani për të dalë nga kjo tragjedi… Pas një jete të tërë në burg, nuk do të ndikohem më kurrë nga asnjë njeri, sidomos kur bëhet fjalë për lirinë time”, pohon Gjenerali në blog.

Pasioni
“Në burg unë vendosa që të mësoja të shkruaja mirë dhe të shkoja në shkollë. Pasioni im tani tashmë ishte shkolla. Në shkollë kam pasur shokë nga vende dhe kultura të ndryshme. Shkolla më bëri të kuptoja se shumica prej nesh janë këtu për shkak të injorancës dhe mungesës së njohurive. Unë besoj se para arrestimit tim, unë kam qenë një djalosh i cili ka jetuar një jetë në mënyrë të pavetëdijshme. Unë kam marrë titullin ‘Mjeshtër Arti’ në Institutin e Arteve të burgut Spoleto. Në këta tre vjet kam pasur shumë kënaqësi gjatë ndjekjes së shkollës. Kam mësuar të përballem me njerëzit që vinin nga bota e jashtme, por, dhe me ata që ishin në burg. Arti është tani pjesë e jetës sime. Kam mësuar shumë gjëra. Është rikthyer pasioni im i mëparshëm për poezinë dhe kam rinisur të shkruaj shumë. Shkolla më hapi horizonte të reja dhe më bëri të kuptoj se unë jetoja vërtet në burg. Unë isha një i burgosur i egoizmit tim. Unë dua të ndihmoj të varfrit në botë. Ne jetojmë në një epokë ku nuk ka moral, ku ëndrra e çdo të riu është bërë vetëm të shfaqet dhe të jetë mendjemadh. Pra, e tërë bota e vlerëson bukurinë tuaj të jashtme. Unë jam djali i popullit tim, por gjithmonë jam rritur me idealet e Perëndimit, me demokracinë. Por, komunizmi më ka mësuar diçka: në atë kohë kishte uri, por nuk kishte kriminalitet, kishte ndershmëri. Realiteti i jetës është se ajo është një tragjedi; vazhdon madje edhe kur ju jeni i pasur dhe i fuqishëm. Të jetojmë në paqe dhe mbi të gjitha me shpresën se edhe unë një ditë do mund të jem i lirë. Në të ardhmen time, për të qenë i sinqertë, nuk ka shumë hapësirë për të manovruar. Burgu është një vend për të mbajtur një të burgosur, jo vetëm trupin e tij, por edhe ëndrrat e tij. Sinqerisht, duke qenë një i dënuar me burgim të përjetshëm, unë kam një projekt të veçantë. Unë e di shumë mirë se nga këtu është shumë e vështirë, por jo e pamundur. Por edhe pse me fat të keq, unë jam me fat, unë jam një i huaj, unë kam mundësi për të shkuar në vendin tim, dhe për ta shlyer dënimin në vendin tim të lindjes. Projekti im është ky: të dal nga këtu dhe kurrë të mos kthehem më, sa të kem frymë. Në këtë pikë në jetën time do doja të bëhesha një qytetar i mirë, të kisha një punë të ndershme, të paguaja taksat dhe gjobat, një jetë normale. Vetëm atëherë do kisha paqe në shpirtin tim. Ëndrra ime: të kisha një familje si gjithë të tjerët dhe fëmijët e mi”, citohet në blogun e Gertit.

E ardhmja
“Çfarë kam humbur në burg? Kam humbur çdo gjë! Kam humbur rininë time. Kam humbur mundësinë për të qenë me familjen time. Kam humbur pothuajse të gjithë të dashurit e mi, dhe unë nuk mund të shkoj në funeralet e tyre. Kam humbur gëzimet që jeta mund të më ofrojë. Ajo që më vret mua çdo ditë, është mospasja e një gruaje dhe fëmijë. Burgu vodhi mundësinë për t’u bërë një baba, dhe kjo për zemrën time është një tragjedi. Unë jam duke paguar një çmim të lartë. Vetëm një kafshë e egër nuk do të ndryshojë pas kaq shumë vitesh. Unë u bëra një njeri i thjeshtë. Por e gjitha kjo, në sajë të përvojave brutale që kam jetuar.
Unë jam një njeri i mirë sepse kam qenë në burg? Nuk e di! Një gjë e kam kuptuar: jeta është një gjë serioze”, shkruan Gerti në blogun e tij.
Bisedat me
familjen
“Në fazën e dytë të burgosjes sime rruga u bë më e vështirë. Papritmas, pas një beteje të vogël në Gjykatën e Lartë, vjen si një bombë lajmi përfundimtar, që sipas ligjit unë isha fajtor. Nuk mund të bëja asgjë për veten. Në fillim mendova: “Në rregull, unë duhet ta pranoj, çfarë duhet të bëj tani?”. Telefonova në shtëpi për t’u dhënë atyre një lajm të keq. U thashë familjarëve të mi: “Unë nuk vij në shtëpi më, kurrë më”. Babai im më tha: “Biri im, mos u bëj merak, se Ati i Shenjtë (Gjon Pali II) i pëlqen të penduarit, mbase fiton një amnisti”. Këto fjalë ishin si një thikë në zemër; ata nuk mund ta kuptonin se çdo gjë kishte përfunduar.
Pas shumë javësh në Itali vjen babai im dhe më takoi. Shikoja sytë e tij, kishte vetëm lot dhe zhgënjim. I thashë atij: ‘Mos qaj’. Dhe ai më tha: ‘Kur të bëhesh baba dhe të shohësh birin tënd në burg, atëherë do ta kuptosh se çfarë do të thotë’. Atë ditë kuptova se unë gjithashtu kisha dënuar me burgim të përjetshëm familjen time.
Mezi u mësova me burgun tim të ri dhe aty m’u dha mundësia që të shkoj në shkollë. Duhej të bëja klasën e tetë dhe më pas shkollën e mesme. Gjyshi im ishte një partizan i vjetër gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kur u dënova me burgim të përjetshëm, isha vetëm 23 vjeç; atëherë doja vetëm të isha i pasur. Në burg kisha shumë shqiptarë të tjerë, me të cilët ndihesha sikur isha në shtëpi. Në vitet e para të burgosjes u përpoqa të luftoja për jetën dhe lirinë time. Me ligj unë jam fajtor, edhe pse në zemrën time e di se jam i pafajshëm. Por, kush do ta besonte një emigrant?! Kështu që, unë nuk do të flas për procesin tim, sepse do të ishte e pakuptimtë. Në shtëpinë time ishte plot me fotot e mia, sikur të isha i vdekur”, – pjesë e shkëputur nga blogu i Gjeneralit.

 

(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: