Nga: JETON SELIMI *
Kukësi-Skënderbeu është më shumë sesa një ndeshje normale; është përballja mes dy ekipeve që në tri sezonet e fundit kanë rivalizuar denjësisht mes tyre në betejën për titullin kampion, ndërsa kulmi ka arritur në këtë kampionat, ku presidentët kanë lëshuar gjuhën ndaj njëri-tjetrit në disa raste, për të ardhur te qershiza mbi tortë, çështja “Olajinka”. Sulmuesi i Skënderbeut, i kthyer në mollë sherri mes korçarëve, kuksianëve dhe ballshiotëve, është pezulluar nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit deri në fund të sezonit. Një vendim që ka peshuar jo pak për Skënderbeun, që ndryshe nga katër sezonet e fundit, e ka shumë të vështirë që të përballojë presionin e Kukësit, Partizanit dhe Tiranës, me të katërta skuadrat që kanë ndryshuar pozicionet në tabelën e renditjes. Aktualisht kryesojnë verilindorët, që ua morën vendin e parë juglindorëve pikërisht fundjavën e shkuar, ndërsa nesër, Kukësi e Skënderbeu do të luajnë ndeshjen e parë të vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Për Artim Shaqirin, trajnerin e Kukësit, sfida e së mërkurës në “Zeqir Ymeri” është finalja e parë e një serie përballjesh direkte që do të vendosin fatet e sezonit. “Me Skënderbeun do të luajmë finalen e parë, pasi na presin të tjera përballje po kaq të vështira. Luajmë në fushën tonë dhe shpresojmë të shfrytëzojmë këtë fakt për të marrë rezultat pozitiv”. Përplasja me skuadrën që po dominon futbollin shqiptar e kalon në plan të dytë takimin me Laçin në kampionat, për të cilin Kukësi, sipas Shaqirit, do të mendojë pas mesjavës. Kundër Skënderbeut do të kërkohet maksimumi, pasi synohet një rezultat i tillë që ta bëjë të pamundur misionin për përmbysjen e korçarëve në takimin e kthimit, ndaj Shaqiri tregohet i sinqertë kur thotë se për Laçin do të mendojë vetëm pas përfundimit të ndeshjes ndaj bardhekuqve. “Nuk mendojmë për Laçin, por për ndeshjen e Kupës më Skënderbeun. Vetëm pas mesjavës do t’i kthejmë sytë te kampionati”. Çdo hap fals në këtë fazë të sezonit, mund të kushtojë rëndë dhe këtë e ka të qartë shqiptari nga Struga. Shaqiri kërkon që të shmangë befasitë dhe e di shumë mirë se, nëse kërkon të kurorëzojë një triumf në krye të verilindorëve, atëherë nuk duhet të nënvlerësojë asnjë prej ndeshjeve të mbetura të sezonit. “Në këtë fazë të sezonit çdo gabim mund të kushtojë rëndë, prandaj nuk duhet të bëjmë asnjë hap fals nëse dëshirojmë t’i arrijmë objektivat.”

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb