Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka publikuar sot Raportin mbi përparimin në dialogun Beograd – Prishtinë, transmetojnë mediet serbe. Gjatë prezantimit para gazetarëve, drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç, tha se Serbia i ka përmbushur të gjitha detyrimet nga Marrëveshja e Brukselit.

Siç citohet të ketë thënë ai, nuk ka kushte të reja shtesë për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës, transmeton Koha.net. Ky fakt, sipas tij, i hap Serbisë rrugën për hapjen e kapitujve të parë në negociatat me BE-në.

Pasi ka thënë se Marrëveshja e Brukselit është e qartë kur bëhet fjalë për funksionet dhe kompetencat e Bashkësisë (Asociacionit) të Komunave Serbe, Gjuriç ka thënë se Beogradi nuk do të heqë dorë nga formimi i Bashkësisë (Asociacionit) të Komunave Serbe.

Ndërsa ka përmendur pesë pengesat për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit që burojnë sipas tij nga mungesa e gatishmërisë së Prishtinës për të përmbushur ato për të cilat është zotuar.

Raporti nuk përmend strukturat paralele të Serbisë, që vazhdojnë të funksionojnë në Kosovë, dhe as destruksionet e tjera të pikëve të Marrëveshjes së Brukselit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb