Nga: Dr. JORGJI KOTE*
Me gjithë ngarkesën e madhe politike dhe sociale, gjatë ditëve të fundit vëmendjen publike e sidomos të vëzhguesve e kanë tërhequr dhe lajmet nga dy metropolet më të mëdha botërore: në Washington, në prani të ministrit tonë të Jashtëm, Ditmir Bushati, u inaugurua godina e rikonstruktuar e ambasadës sonë në SHBA; iu dha fund kështu gjendjes së saj të mjerueshme nga brenda e nga jashtë që vijoi disa vite. Ndërsa në Festivalin Ndërkombëtar Kulturor “Ballkan Trafik” në Bruksel, ansambli “Lunxhëria” sapo performoi me shumë sukses në sheshin më karakteristik të botës, “Grand Place”, dhe në mjedise të tjera qendrore. Ai kontribuoi që ky festival të kthehej në një festë popullore jo vetëm për shqiptarët, por dhe për belgët dhe mijërat e vizitorëve të tjerë të huaj. Por, mijëra pjesëmarrësit aty në shesh i përshëndeti edhe ambasadorja jonë, Suela Janina. Ajo që i bashkon këto dy ngjarje me njëra-tjetrën është ndihmesa e tyre e ndjeshme lidhur me realizimin e objektivit madhor të diplomacisë sonë – krijimi dhe përcjellja e një imazhi sa më pozitiv dhe simpatisë, sidomos për vlerat, traditat dhe kulturën rrezatuese të vendit tonë në këto dy kryeqendra të politikës, diplomacisë dhe kulturës botërore. Aq më tepër tani kur imazhi dhe simpatia reale për vendin përbën një thesar dhe përparësi absolute për të gjitha shtetet dhe diplomacinë e tyre, sidomos për vende të vogla si Shqipëria. Përmirësimi në vazhdimësi i këtij imazhi jashtë vendit fillon pikërisht nga paraqitja dinjitoze e selive tona diplomatike në Washington dhe kudo, si “vitrina” të vendit, dhe kulmon me “eksportimin” e vlerave më të mira kulturore, qytetare dhe artistike. Ky objektiv bëhet më i theksuar tani, kur janë realizuar ose jemi në proces të realizimit të objektivave madhore, si anëtarësimi në NATO, marrja e statusit kandidat dhe hapja e negociatave të anëtarësimit në BE, zgjidhja e çështjes së Kosovës etj. Natyrisht, kjo kërkon kujdes dhe punë me perspektivë e jo me “fushata”; ndërtimi, përmirësimi dhe forcimi i vazhdueshëm i imazhit publik të një vendi përbën një proces të gjatë, ku ushtrojnë ndikimin e tyre shumë faktorë; sepse imazhi i arritur me shumë punë e përpjekje mund të cenohet, dëmtohet, e pse jo dhe të prishet shumë shpejt, madje dhe në një çast të vetëm, nga veprime të papërgjegjshme të aktorëve dhe faktorëve të ndryshëm. Sepse, ndryshe nga shembujt pozitivë, imazhi negativ “merr dhenë” brenda sekondës! Shtypi dhe media janë përherë në “pritë e përgjim”, pasi kërkojnë vazhdimisht “gjah” në këtë fushë të ndjeshme. Ka jo pak shembuj që tregojnë se si rastet apo “bëmat” negative të një ose disa individëve, duke përfshirë këtu edhe politikanë e diplomatë, gjejnë jehonë të shpejtë e të madhe në shtyp e media, duke zbehur dhe errësuar punën dhe përpjekjet që bëhen nga 6 dimensionet e diplomacisë sonë. Sa herë shkruaj për këtë temë, më vjen ndër mend një takim jubilar në Bruksel me rastin e përvjetorit të krijimit të Bankës Europiane të Investimeve (BEI). Një prej drejtuesve të saj kryesorë, në përgjigje të një “kritike” se përse BEI nuk ishte aq i njohur në publik, u përgjigj me doza humori: “Po, keni të drejtë; por, si mund të njihet ai më shumë, kur në 50 vjet nuk ka pasur asnjë rast skandali apo afere? Mirë t’i bëhet!”
Problemi tjetër është se, ndërsa kostot e këtij imazhi llogariten me saktësi nga financa, kjo e fundit dhe të tjerët nuk janë as në gjendje dhe as të predispozuar të kontabilizojnë apo të llogaritin qoftë dhe vetëm në shuma monetare përfitimet që sjell imazhi, sidomos jashtë vendit dhe në radhë të parë nga përfaqësitë tona diplomatike.
Ndryshimet cilësore të ndodhura në fushën e imazhit janë një sfidë edhe për vetë diplomatët e sotëm. Në disa raste, krijimi i imazhit pozitiv për ta konceptohet thjesht si çështje moshe, paraqitje simpatike, veshje firmato, flokët të lyera me xhel, moda etj. Me gjithë rëndësinë e tyre në rritje, aksesorë të tillë si “look” dhe “show” janë gjithsesi të pamjaftueshëm për të dhënë një imazh të plotë e të vërtetë të një diplomati bashkëkohor. Përvoja po tregon se krijimi i këtij imazhi kërkon që diplomatët, brenda rregullave dhe etikës, të jenë më të hapur, pa komplekse, me njohuri dhe kulturë të lartë, ndërmjetësues dhe, mbi të gjitha, komunikues të zotë në të gjitha drejtimet. Ata duhet detyrimisht të njohin sa më mirë historinë e vendit ku punojnë, normat, zakonet dhe traditat, muzikën, artin, letërsinë, madje dhe gjuhën e vendit etj.; vetëm kështu ata do të jenë në gjendje të ndërtojnë më mirë e më lehtë urat e komunikimit me qytetarët e vendit ku janë akredituar. Kërkesa e lartpërmendur buron dhe nga fakti se në ditët e sotme, atyre u kërkohet gjithnjë e më shumë të shtojnë kontaktet edhe me “diplomatë” të tjerë publikë, me OJQ, think-tanke, gazetarë, artistë, personalitete publike etj.; ata sot shkojnë jo vetëm në pritje diplomatike, por edhe në koncerte, veprimtari kulturore, takime të ndryshme, ku madje edhe flasin e shkruajnë për vlerat e kulturës sonë, në intervista e në gazeta, radio e televizione, e kështu me radhë. Ka plot shembuj pozitivë të diplomatëve me profil publik në botë. Një prej tyre është britaniku Jamie Shea, i cili në periudhën e Luftës në Kosovë në vitin 1999, duke qenë zëdhënës i NATO-s, u bë shumë i njohur dhe i pëlqyer për daljet e tij të përditshme e për më tepër për frymën krijuese dhe mënyrën elegante, tërheqëse dhe bindëse të konferencave të tij të shtypit para qindra gazetarëve e që ndiqej në gjithë botën. Sot është ndër diplomatët më të lartë në NATO, duke mbetur po aq komunikues e publik dhe dashamirës i vendit tonë. Edhe në vendin tonë, si në të kaluarën, edhe tani, ka pasur e ka një numër jo të vogël diplomatësh dhe ambasadorësh të spikatur.
Në forcimin e imazhit të trupës sonë diplomatike ndikon mjaft edhe kontinuiteti diplomatik, d.m.th. jetëgjatësia e një diplomati në karrierë; kjo siguron një perceptim dhe konsideratë reale tejet të pëlqyeshme në komunitetin diplomatik, e për rrjedhojë shton ndjeshëm aksesin në kancelaritë dhe kanalet e shumta diplomatike, si kusht paraprak i domosdoshëm për suksesin në një mision jashtë vendit.
Imazhit i shërbejnë shumë dhe disa “kryemarka” të shquara në shkallë botërore nga fushat e arsimit, bota akademike, kulturore, shkencore etj. Emrat e universiteteve të famshme – Bolonja, Oksfordi, Kembrixhi, Harvardi, Humboldi, Sorbona, Lomonosovi; të operave elitare – La Scala, Covent Garden, Metropolitan, Bolshoi Teatre; të muzeumeve të tilla, si Louvri, British Museum. Po ashtu, në podiumin e nderit është Çmimi prestigjioz “Nobel” dhe vlerësime të tjera të njohura ndërkombëtare si dhe emrat e artistëve dhe shkrimtarëve me jehonë botërore me të cilët krenohet dhe vendi ynë. Po aq e rëndësishme është bërë kulinaria, me delikatesat e saj dalluese. Vetëkuptohet se, referencat, lidhjet, kontaktet dhe shfrytëzimi i këtyre emrave, kryemarkave dhe faktorëve në veprimtarinë e përditshme dhe programet e diplomacisë sonë, në vijim të hapave dhe arritjeve të shënuara, përmban rezerva të mëdha për të ardhmen.
Ndërkohë, diplomacia ndërkombëtare ka bërë dhe ajo të vetën për krijimin e një imazhi specifik të vendeve të ndryshme. Kështu, ka vende dhe qytete të vogla e fare pak të njohura më parë për publikun e huaj, por që falë një ngjarjeje të madhe diplomatike kanë krijuar një emër dhe profil të madh publik. Një shumicë e madhe njerëzish në botë nuk e kanë ditur dhe rrezik nuk e dinë ende që Shengeni është një fshat në Luksemburg deri në vitin 1985, kur ai hyri në histori si vendi ku u nënshkrua Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë në BE; pak a shumë e njëjta situatë ishte Mastrihti deri në vitin 1992, kur atje u nënshkrua traktati i famshëm që mban emrin e tij. Davosi deri 40 vite më parë njihej pak vetëm si pikë turistike alpine; në këto 40 vitet e fundit, falë Forumit Ekonomik Botëror të përvitshëm, ku mblidhet elita e politikës dhe biznesit botëror, kjo qytezë e vogël alpine tashmë është njehsuar me këtë forum, si shembulli më tipik i diplomacisë informale.
Një ndër shembujt më kulmorë dhe domethënës në drejtim të imazhit, me të mirat por dhe mangësitë e sfidat e veta është Brukseli. Ndonëse është kryeqyteti i Valonisë, i Belgjikës, që ka aq shumë atraksione dhe histori, në sytë dhe perceptimin e publikut, sapo përmendet emri “Bruksel” të del para sysh tabloja e kryeqytetit europian, mikpritësi i institucioneve më të mëdha europiane dhe euroatlantike. Ndaj, zakonisht nuk thuhet se “po shkoj në Belgjikë”, por “në Bruksel”. E zakonshme është bërë dhe shprehja tjetër që “në rast se do të dëgjohesh, fol në Bruksel”! Aq shumë është ngulitur në mendjet e njerëzve ky perceptim publik, sa, siç është shprehur ministri i Jashtëm belg, Didier Reynders, “disa bashkëbisedues të mi jashtë vendit kujtojnë se Belgjika është pjesë e Brukselit dhe jo anasjelltas”. Nisur nga sa më sipër, nuk ka mbetur vend i botës pa seli diplomatike dinjitoze në Bruksel, pranë BE-së, NATO-s dhe pranë të zotëve të shtëpisë – Belgjikës. Madje, këto përfaqësi janë përforcuar edhe me dërgimin këtu, krahas firmave të njohura, të agjencive të shtypit e medias, të arsimit, kulturës, artit, letërsisë, turizmit, investimeve, tregtisë etj. Me gjithë vështirësitë e njohura financiare, kjo prirje vijon të theksohet më tej, sepse, siç thuhet sot rëndom: “Brussels is the place to be! – Brukseli është vendi ku duhet të jesh!”
Krahas diplomacisë, në formimin dhe përsosjen e imazhit të një vendi ndikojnë ndjeshëm shtypi, media, shoqëria civile, arti, kultura, muzika, grupet e famshme muzikore dhe artistët e shquar, sporti, akademikët, shkrimtarët, filozofët etj. Hierarkia e “artizanëve” të imazhit fillon nga qytetari më i thjeshtë, nga nxënësi i fillores deri tek akademiku, ushtarakët, nga punonjësi më i zakonshëm e deri te presidenti dhe sidomos mbreti me pasardhësit e tij në monarkitë kushtetuese.
Duke marrë të mirëqenë elementët e lartpërmendur, duhet theksuar se vendimtar për një imazh të vërtetë e të qëndrueshëm është niveli i zhvillimit ekonomik dhe i mirëqenies sociale. Sepse elementët e tjerë edhe mund t’i “pudrosësh” apo zbukurosh përkohësisht, por ekonomia me pasojat e saj herët a vonë “të nxjerr zbuluar”. Rast tipik pozitiv këtu përbën Gjermania Perëndimore, e cila e ndryshoi tërësisht brenda një kohe rekord prej 10 vjetësh imazhin e saj të mëparshëm negativ, kryesisht falë mrekullisë ekonomike dhe shtetit social që krijoi në fillim të viteve ‘50.
Pa dashur kurrsesi të hyjmë në shifra dhe bilance, vërehet se në institucionet përkatëse, krahas diplomacinë zyrtare, këto e të tjera aspekte jetike po vlerësohen përherë e më drejt. Gjithsesi, nisur dhe nga mungesat lidhur me fondet e nevojshme financiare dhe specifikave të dinamikës së saj, diplomacia jonë e imazhit, si “pronë” e të gjithëve mbetet më tepër një sfidë dhe sipërmarrje e përbashkët.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: