Nga: DRITAN HILA*
Shtatëdhjetë vjet më parë, më 29 Mirënjohje nëntor të ‘44-ës, kur gjermani i fundit dilte nga kufi ri shtetëror, Hitleri ende mbretëronte në Berlin Rusët sapo kishin marrë Varshavën të rrafshuar nga nazistët si ndëshkim për kryengritjen e saj, ndërsa në frontin e jugut, kishin dalë në rrjedhën e Danubit. Në perëndim anglo-amerikanët ishin në kufijtë e Belgjikës, por pas pak ditësh do iu bëhej surprizë mësymja e Ardeneve, ku Hitleri do të kërcënonte t’iu kallte edhe një herë disfatën e pesë vjetëve të shkuara. Në jug, në frontin italian, pak muaj pas betejës së përgjakshme të Kasinos dhe marrjes së Romës, aleatët ishin frenuar në fushat e Emilia Romanjës, në pritje për t’u hedhur në qendrat e mëdha të veriut. Por Gjermania e paraluftës dhe hapësirat ku banonin gjermanët ishin ende të paprekura nga forcat aleate. Fundi i saj ende nuk ishte i dukshëm, pavarësisht humbjeve strategjike. Por për shqiptarët Lufta e Dytë Botërore kishte mbaruar.
Ende edhe sot e kësaj dite nuk mund të flitet për një bilanc të saktë të kësaj lufte. Asgjësimet industriale, spostimet e mëdha të popullsisë, ndryshimet e kufijve, shkatërrimet e infrastrukturave administrative, e bëjnë të pamundur. Ndaj shifra e të vrarëve në këtë hekatombë luhatet ndërmjet 40 deri 55 milionëve. Shqiptarët kishin humbur midis 28 mijëve që pretendoi Enver Hoxha në Konferencën e Paqes të Parisit, 30 mijëve që shkruante Mit’hat Frashëri në letrën dërguar po kësaj konference, dhe 40 mijëve që pretendonte dikur qeveria kuislinge në gazetën e kohës “Tomori”. Kontributi i gjakut i ofruar nga shqiptarët, për frymë të popullsisë ishte rreth 3% e popullsisë së paraluftës. Ishte më i lartë se ai i Britanisë, SHBA, Francës, Italisë, dhe kalohej vetëm nga kombet sllave, hebrenjtë dhe romët, të cilat ishin konsideruar nga gjermanët si raca inferiore dhe kishin aplikuar shfarosjet masive. Në fund të luftës shqiptarët numëronin 70 mijë partizanë, shifër e barabartë me atë të Greqisë, e cila kishte popullsi dhjetë herë më të madhe, dhe pesë herë më i vogël se ai i Jugosllavisë, që kishte popullsi tetëmbëdhjetë herë më të madhe. Edhe nëse merret për bazë numri i partizanëve të regjistruar në ditët e Kongresit të Përmetit, shifra ishte mjaftueshëm impresionuese për të dëshmuar rreshtimin e kombit më të vogël dhe të varfër të Ballkanit, ndaj kauzës antifashiste.
Në tokën shqiptare humbën jetën mbi 2 mijë ushtarë gjermanë. Kjo është shifër e ofruar nga Wermahti. Nuk përfshihen armenët dhe azerët, vullnetarë nga republikat kaukaziane të Bashkimit Sovjetik, që luftonin në radhët e trupave gjermane Wafen SS. Rishtas është kontribut i madh për një popull të vogël, krahasuar edhe me fqinjët.
Shqipëria hynte në periudhën më të gjatë të paqes që do të njohë Evropa e ndarë në dy kampe: antifashistët, të udhëhequr nga komunistët shqiptarë, dhe nacionalistët, me organizatën më përfaqësuese të tyre, “Ballin Kombëtar”, i cili kishte dalë i shkatërruar nga konflikti. Nacionalçlirimtarët përfaqësonin pjesën më vitale të popullsisë, në masë të madhe të rinj, nga të gjitha shtresat dhe rajonet e vendit. Balli, ishte gjithë struktura e vjetër, që nuk arriti të bëhej as kundërshtar e as bashkëpunëtor serioz i nazistëve apo komunistëve. Megjithëse kishte kaluar gjysmë nga shekulli i XX-të, drejtuesit e tij nuk e perceptuan se lufta moderne nuk bëhej me çeta që mblidheshin sa herë fërshëllente i pari i fshatit, dhe në veri nuk kuptuan se një strukturë arkaike fisnore nuk i kundërvihej dot makinerisë luftarake që i erdhi sipër për ta shkërmoqur. Nuk e kuptuan se kolaboracionizmi i tyre historik, shpresa se mund të negocionin me këdo, kurdo e për çfarëdo, nuk vlenin më.
Shtatëdhjetë vjet më pas, do të ishte koha e pajtimit. Afërsia me ngjarjen dhe pamundësia të gjykonin me mendje të ftohtë pushtuesin, është argument i sforcuar dashamirës për të justifikuar kolaboracionizmin. Dhe një kërkesë faljeje për bashkëpunimin me fashizmin, do të ishte një fillim i mbarë.
Por 29 Nëntori nuk është ditë e përdëllimit dhe reflektimit. Treçerek shekulli më vonë, shqiptarët kujtojnë djemtë e vajzat që i siguruan vendit anën e drejtë. Shpesh të paveshur, të papirë, të pangrënë e të zbathur, të ndjekur si kafshë të egra me plumb e thikë, të djegur të gjallë apo varur, të therur në gjumë, të vrarë në prita apo me bukë në gojë, ia dolën të ishin me fitimtarët. E gjitha kjo nuk është film, por ka ndodhur vërtet. Mijëra prej tyre u larguan nga jeta pa pasur mundësi të martoheshin, të bënin fëmijë, të shijonin jetën apo t’u ktheheshin nënave për një lamtumirë të fundit. Çdo “se” dhe “por” për atë që erdhi më pas, është një përpjekje perfide për të relativizuar dhe negativizuar historinë e tyre të pashoqe, ku për herë të parë shqiptarët luftuan si një komb modern, për kauza të njerëzve të lirë në krahun e së drejtës. Çfarë erdhi më pas, është punë për politikanë dhe historianë. Çfarë bënë fitimtarët ka vetëm një çmim: Mirënjohjen! Ky është 29 Nëntori!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: