SHKODER – Kalaja “Rozafa” e Shkodrës është një ndër destinacionet më të preferuara për turistët vendas dhe të huaj. Për vizitorët është intriguese historia e ndërtimit të kalasë shekullore, por edhe mënyra se si është realizuar mbrojtja nga kjo pikë strategjike.
Turistët preferojnë ta shohin nga afër objektin e ngritur mbi legjendën, por ka edhe prej atyre që shprehin rezerva lidhur me mirëmbajtjen. Turisti anglez, Brad Mickney thotë se është i intere suar për historinë e kësaj kështjelle, ndërsa shprehet se kështjellat në Angli janë të ndryshme nga ajo Rozafa. “Më pëlqen mënyra se si është ndërtuar dhe më intereson shumë si është konceptuar mbrojtja nga këtu. Është një pikë strategjike dhe me panoramë mahnitëse. Nuk ka shumë të përbashkëta me kështjellat në Angli. Më pëlqen shumë edhe si pamje, por më shumë historia e saj”, – pohon Mickney.
Ndërkohë, disa turistë të tjerë tërheqin vëmendjen duke thënë se duhet të bëhet më shumë në drejtim të pastrimit të territorit, pasi sipas tyre, këto bukuri natyrore po shkatërrohen. “Jemi nga Rumania dhe është e mrekullueshme pamja nga këtu në kala, por mbeturinat që janë hedhur gjithandej janë imazhi më i keq”, thotë një tjetër turist. Ndërkohë, drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër, Majlinda Lacaj deklaron se shumë shpejt do të miratohet një projekt i rëndësishëm që do të shërbejë në ndërhyrjen e infrastrukturës dhe mirëmbajtjes në kalanë “Rozafa”. Mësohet se kalaja “Rozafa” gjatë një viti arrin të ketë një numër të madh turistësh të huaj dhe vendas, të cilët pasi vizitojnë qytetin e Shkodrës ndalin hapin edhe në kala.
Një element pozitiv është ndriçimi, që ndikon në nxjerrjen në pah të saj edhe gjatë natës. Ndërkohë, në ndihmë të vizitorëve është dhe guida turistike në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe serbo-kroatisht. Kalaja shekullore zë një sipërfaqe prej 9 ha. Ajo është e ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës. Në periudhën e lashtë muret ishin të stilit poligonal, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot.
(a.n/GSH/BalkanWeb)
