TIRANE– Zbardhet itinerari që kishte bërë kontejneri me banane që u kap në portin e Durrësit, brenda të cilit ishin fshehur 613 kg kokainë. Gazetarja Klodiana Lala në një lidhje direkte për ‘News24’ tregoi detaje rreth rrugës që kishte ndjekur kamioni, ndërkohë që deri tani janë duke u verifikuar tre persona siç raporton “BalkanWeb”.

Burime zyrtare nga Prokuroria bënë me dije se sasia rekord kishte ndjekur këtë itinerar; Komlubi-Itali-Maltë dhe në fund kishte mbërritur në portin e Durrësit. Nga hetimet e deritanishme rezulton se kontejnerët me banane ishin porositur për kompaninë ‘Arbi-Garden’ shpk me qendër në Maminas. Lala tha për ‘BalkanWeb’ se kompania është themeluar në 3 maj 2012, ku administrator është Arbër Cekaj, që rezulton se ka një gamë të gjerë aktivitetesh.

Po ashtu bëhet e ditur se kjo sasi droge s’do shpërndahej në Shqipëri, por pasi të shkarkoheshin kontejnerët, sasia do udhëtonte drejt vendeve të BE-së.

Në fillim do të kalonte drejt Italisë, e më pas drejt vendeve të tjera. Sakaq, Arbër Cekaj nuk është ndaluar ende. Lala tha se ka dyshime se behet fjalë për një rrjet të gjerë trafiku të kokainës, ndërsa mund të konsiderohet si një rast ku mund të përfshihen ‘peshqit e mëdhenj’ apo dhe lidhje të mundshme me politikanë.

‘BalkanWeb’ mëson se kontejnerët kanë mbërritur 2 ditë më parë në portin e Durrësit. Ndërsa dje janë marrë në vëzhgim nga Policia e Shtetit, pasi kishte dyshime të forta se në këto kontejner ndodhej sasia e drogës. Gazetarja Lala tha se 3 personat janë personazhe të botës së krimit, pasi ka dyshime se janë të përfshirë në trafikun e drogës. Ndërkohë, për këtë rast ka një blerës dhe shitës në Kolumbi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb