Pas 25 viteve në Gjermani, familja shqiptare nga Maqedonia është dëbuar nga Wolfschlugeni. Vetëm vajza më e madhe ka mbetur e vetme, ndërsa familja do t’ia fillojë jetës në një vend të huaj nga asgjëja.

Lejla 16-vjeçare ka qenë duke mësuar për të përfunduar shkollimin e mesëm. E motra e saj, Elifja 10-vjeçare pothuajse kishte shkuar në shtrat, kur rreth orës 22:30 dikush troket në derë.

Në momentin që nëna Gjilsime e hap derën, në banesë futen pesë policë. Ata nuk folën shumë, vetëm i urdhëruan që të marrin me vete sendet e nevojshme dhe të shkojnë me ta.

Atë mbrëmje, babai Isa po kthehej vonë nga puna, ndërsa dy vajzat, djali i tij Omeri dhe bashkëshortja e tij ishin futur në makinën e policisë para banesës. Policët i thanë se ai shpejt e shpejt duhet të marrë sendet e nevojshme me vete dhe t’i bashkohet familjes.

Në korridor takon të bijën e madhe, Hazbijen 23-vjeçare, e cila ishte përshëndetur me familjen dhe për të nuk ka urdhër dëbimi, pasi Maqedonia nuk e njeh si shtetase të veten. Hazbija me lot në sy rrëfen për atë ditë të kobshme në gazetën e përditshme gjermane “NTZ”, kur familja e saj u dëbua pas 25 vitesh qëndrimi në Gjermani, përcjell Albinfo.ch.

Autoritetet gjermane janë prononcuar lidhur me dëbimin e tyre, me pretekst se nuk i kanë plotësuar disa formalitete të nevojshme administrative. Tani, familja shqiptare në Maqedoni duhet t’ia fillojë nga asgjëja dhe gjithçka është e vështirë për ta, pasi as fëmijët e as prindërit nuk e zotërojnë sa duhet gjuhën maqedonase për t’u integruar në vend.

Babai Isa Bajrami, në Gjermani kishte ardhur në vitin 1993 dhe një vit më vonë e kanë shoqëruar bashkëshortja dhe i biri, Omeri. Për 25 vite me radhë, familja ka jetuar në Gjermani me statusin e të ashtuquajturit “Duldung”.

Në Wolfschlugen dhe Nürtingen, familjes Bajrami i janë shtuar shumë përkahës, madje edhe politikanë të cilët i kanë shkruar Ministrisë së Brendshme gjermane. Nga atje kanë marrë përgjigje se familja shqiptare nuk i ka plotësuar kërkesat e tyre për pasaportë.

Hazbija rrëfen se familja ka bërë përpjekje për t`i rregulluar pasaportat maqedonase, madje kanë qenë edhe në Konsullatin e Mynihut ku iu kanë thënë se ata duhet të kthehen fillimisht në Maqedoni për të bërë kërkesat.

Hazbija vazhdon të luftojë me përkrahësit e familjes që ajo sa më parë të kthehet në ambientin e mëparshëm gjerman. Me këtë rast është hapur edhe një peticion për të grumbulluar sa më shumë nënshkrime dhe t`i dorëzohen autoriteteve përkatëse.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb