“Unë do bëja vetëm transportin e pistoletave nga Shqipëria për në Suedi”. Kështu deklaroi nga salla e gjyqit suedezi Sebastian Vall, i cili u arrestua më 13 gusht pasi u kap me 19 armë pistoleta në doganën e Muriqanit, teksa po tentonte të kalonte drejt Malit të Zi. Mes të tjerash ai tha se kishte udhëtuar tranzit Suedi-Turqi-Prishtinë.
“Kam qëndruar katër ditë në Prishtinë dhe kam marrë armët nga një person që nuk ia dija emrin dhe do ti coja në Suedi. Të gjitha këto i bëra për para sepse isha i papunë. Doja të studioja por s’kisha lekë dhe kreva këtë akt”, tha ai.
Gjatë seancës prokurori Vladimir Mara u shpreh se nga hetimet rezulton se 21 vjecari ka udhëtuar në rrugë ajrore nga Suedia në Prishtinë, duke kaluar tranzit në Turqi. Në kryeqytetin e Kosovës, ai ka qëndruar katër ditë, ku edhe ka marrë ngarkesën e armëve. Drejt Suedisë – theksoi prokurori – i dyshuari ka vendosur të kthehet në rrugë tokësore, me autobuzin e linjës Kosovë-Gjermani. Në pikën e kalimit kufitar, në Muriqan gjatë një kontrolli rastësor – thekspo përfaqësuesi I organit të akuzës – u zbulua ngarkesa me armë që I përkiste shtetasit suedez.
Përpara grupit të hetuesve, prokurorëve, i riu ka deklaruar se do të bënte trasportin kundrejt një shume parash, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ai ka refuzuar të zbulojë bashkëpunëtorët, duke pretenduar se si personin që i dorëzoi armët ashtu dhe pritësin e tyre, nuk i njihte.
Avokati Steffan Topalli kërkoi ndaj të dyshuarit, të caktohej një masë sigurie me afat, derisa të identifikoheshin bashkëpunëtorët e tij.
Pasi dëgjoi palët, gjykata caktoi masën e arrestit me burg ndaj suedezit mbi supet të cilit rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të armëve, kryer në bashkëpunim.
Për arrestimin e 21 vjecarit prokurori tha se është informuar ambasada suedeze në Tiranë, por në sallën e gjyqit nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i saj.
(ed.me/BalkanWeb)