TIRANE- Një ndihmës kontrollor në pikën kufitare të Kakavijës ka rënë në pranga, pasi akuzohet për kontrabandë mallrash. Bëhet fjalë për inspektorin Mentor Cane. Në kuadër të luftës kundër kontrabandës dhe korrupsionit, sot në mesditë, strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, bënë të mundur arrestimin dhe të një tjetër shtetasi, përkatësisht Erald Çaço, shitës me pakicë.

Burime nga policia bëjnë me dije se këta dy persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale, të “Kontrabandës me mallra që paguhet akcizë”. SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, pas një hetimi pro-aktiv 2 mujor me metoda dhe mjete speciale të hetimit, dokumentuan një linjë të kontrabandës së mallrave që paguajnë akcizë, konkretisht të një marke cigareje.

Punonjësi i Policisë, Mentor Cane, i merrte stekat me cigare në Duty-Free-Shop në pikën doganore në anën greke të kufirit dhe duke shfrytëzuar detyrën, i kalonte ato në territorin shqiptar, duke shmangur detyrimet doganore. Më pas këto mallra i fuste në bagazhin e mjetit të tij, tip “Benz Mercedez” me targa TR 36 11 U, dhe i sillte në Tiranë tek blerësi.

Në ngarkesën e fundit, të bllokuar sot në mesditë në rrugën “Ndre Mjeda”, në kryeqytet, punonjësit të policisë Cane iu kapën 36 kuti, me nga 3 steka cigare secila. SHÇBA ka dokumentuar për periudhën që ai ishte nën hetim, se kryente të paktën 2 ngarkesa në javë, me sasi edhe më të mëdha se rasti i kapur.
Sakaq, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kutitë me cigare, 2 automjete që u përkisnin shtetasve të arrestuar, si edhe 4 aparate telefoni celularë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: