SARANDË- Policia e Shtetit ka asgjësuar 1586 bimë narkotike kanabis sativa në operacione të ndryshme, në kuadër të luftës kundër narkotikëve. Sipas burimeve zyrtare, në qarkun e Gjirokastrës janë asgjësuar me djegie 1471 bimë narkotike, ndërsa në Sarandë 115 të tjera. Gjithashtu policia ka arrestuar për kultivimin e kanabisit 2 persona dhe ka shpallur në kërkim tre të tjerë.

GJIROKASTËR, ASGJËSOHEN 1471 BIMË NARKOTIKE, DY NË PRANGA E TRE NË KËRKIM
Policia e Gjirokastrës ka zbuluar dhe asgjësuar në dy operacione 1471 bimë kanabis, ndërsa ka vënë në pranga një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.

Gjatë ditës së djeshme, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative policia ka bërë asgjësimin e 350 rrënjë bimë narkotike Cannabis Sattiva në fshatin Zenelaj, komuna Çepo si dhe 21 rrënjë bimë narkotike në fshatin “Asim Zeneli”.

Nga kryerja e  veprimeve të para hetimore u bë arrestimi i shtetasit Vladimir Novi, 61 vjeç, banues në fshatin Zenelaj, pasi dyshohet si autor i kultivimit të 350 bimëve ne vendin e quajtur “Korie” mbi fshatin Zenelaj.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit Pëllumb Danaj, 59  vjeç, banues në fshatin “Asim Zenel”, pasi në një parcel që posedon ky shtetas, ju gjetën dhe asgjësuan 21 rrënjë bimë narkotike cannabis sattiva. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Nga strukturat e policisë së komisariatit Përmet u bë asgjësimi i 1100 rrënjëve bimë narkotike cannabis sattiva të kultivuara në një parcelë të marrë me qira në fshatin Odrican, Përmet. Në përfundim të veprimeve  të para hetimore u bë ndalimi i shtetasit Përparim Bejko, 55 vjeç, banues në Durrës, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Bilke Zoto, 29 vjeç, banues në Përmet; Fatmir Zhupa, 39 vjeç, banues në Gjirokastër.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar në një parcelë të marrë me qira në fshatin Odriçan, Përmet, 1100 bimë narkotike të llojit Cannabis Sattiva. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet për veprën penale të “Kultivimi i bimëve narkotike”.

ASGJËSOHEN NË SARANDË 115 BIMË KANABIS, NË KËRKIM AUTORËT
Policia e Sarandës gjatë një operacioni anti-kanabis, ka zbuluar dhe asgjësuar 115-bimë narkotike në fshatin Memoraq. Bima narkotike u zbulua afër Kishës Panaja, në vendin e quajtur Hustova, në një sipërfaqe toke të shpyllëzuar pa pronarë, ku lartësia e tyre arrinte deri në 190 cm.

U krye asgjësimi i plotë i bimëve narkotike më djegie, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: