KOSOVE- Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçit, nuk i është lejuar që të udhëtojë për në Srebrenicë. Ai këtë fakt e ka treguar vet në një postim në Facebook, shkruan “RTK”.
“Përkundër ftesës zyrtare dhe vizës së rregullt të lëshuar nga autoritetet e Bosnjës e Hercegovinës, në momentet e fundit nuk u lejova të udhëtoj për të marrë pjesë në komemoracionet në Srebrenicë me arsyetimin se jam person i padëshirueshëm nga Republika Srpska.
Kosova dhe populli i saj me zemër e me mendje jenë me familjet që sot më në fund i varrosin familjarët e tyre që të prehen në paqe dhe me të tjerët që i përkujtojnë etërit, vëllezërit, bijtë e humbur në këtë tmerr.
Kështu sot shënojmë 20-vjetorin e gjenocidit të forcave serbe në Srebrenicë dhe 16 vjetorin e gjenocidit të shtetit serb në Kosovë.
Populli i Kosovës gjithmonë do të jetë përkrah atyre që promovojnë lirinë, barazinë, drejtësinë dhe pajtimin”, ka shkruar Thaçi.
(el.sp/BalkanWeb)