TIRANE – “Fatos Nano ishte një kryeministër që punonte nën rrogoz, ndërsa me Sali Berishën u përplasa hapur”. Kështu i kujton ish-Presidenti Alfred Moisiu dy ish-krerët e qeverisë gjatë mandatit të tij 5-vjeçar presidencial.

Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai thotë se ata që e akuzuan si “kukulla Moisiu” pse bëri një foto me Nanon e Berishën shumë shpejt përgënjeshtruan veten.

“Disa media më konsideruan “Kukulla Moisiu”, kur unë bëra një fotografi të përbashkët me Nanon dhe Berishën. Të njëjtët, që shprehën këtë mendim, pas një muaji, po ata e përgënjeshtruan qëndrimin e parë të tyre. Sigurisht ata menduan që unë vija nga një background ushtarak, që nuk e njihja politikën dhe do më përdornin lehtësisht. Por asnjëra pale nuk arriti dot që të më manipulonte, sepse unë isha edukuar për zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës dhe gjithmonë i kam vënë interesat e vendit mbi interesat personale dhe kjo është e njohur se pas mandatit tim presidencial, unë u ktheva në shtëpinë time, në ato kushte që isha”, – shprehet Moisiu.

Lidhur me marrëdhëniet që kishte me dy krerët e qeverisë gjatë 5 viteve që drejtoi Presidencën, Moisiu kujton “Marrëdhënia me Kryeministrin Nano në aparencë ka qenë e kujdesshme dhe pse punonte nën rrogoz, kurse me Kryeministrin Berisha jemi përplasur hapur dhe në mënyrë shumë brutale nga ana e tij. Por unë, duke e ruajtur gjakftohtësinë time, gjithmonë kam folur mbi bazën e argumentimeve kushtetuese dhe kam qenë shumë i kujdesshëm në ruajtjen e etikës politike dhe morale në marrëdhëniet me politikanët tanë, qoftë kur i kam pasur përballë, e qoftë indirekt në deklaratat e mia”.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: