TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka marrë në mbrojtje drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karccanaj e vënë në shënjestër pas skandalit të publikimit të pagave për 630 mijë shqiptarë.

Ajo u pyet nëse do të japë dorëheqjen nëse rezulton nga hetimet se të dhënat kanë dalë nga e-Albania, Rama është përgjigjur në vend të saj, duke thënë se SHBA-ve i dolën në rrugë të gjitha sekretet dhe nuk ka pasur dorëheqje. Sipas tij, e-Albania nuk ka lidhje me sistemin e Tatimeve.

“SHBA i dolën në rrugë të gjitha sekretet, nuk di të ketë pasur ndonjë dorëheqje, dakord. Kështu që tjetër është kur gjërat ndodhin si rezultat i një dështimi të sistemit ose si rezultat i një vepre siç ishte rasti i të ndjerit Klodian Rasha dhe komplet gjë tjetër është kur gjendemi përpara sulmeve. Në të gjitha rastet në fjalë, ka plot, as nuk ka ndodhur dhe as nuk kam dëgjuar t’i kërkohet dorëheqje dhe tjetra është që AKSHI nuk ka lidhje me këtë. Është njësoj si të shkosh t’i kërkosh dorëheqjen ministres së Bujqësisë. Platforma e ndërveprimit qeveritar e-Albania nuk ka absolutisht lidhje me sistemin e Tatimeve, sepse sistemi i Tatimeve që ka të bëjë me pagat është një gjë tjetër, ndërkohë që e-Albania është komplet gjë tjetër. Është një sistem i cili menaxhohet nga dy kompani, një e huaj, një shqiptare. Është një sistem që funksionon në vazhdimësi me një program të vetin. Po jap përgjigje sepse qytetarët duhet të jenë shumë të qartë. Platforma e shërbimeve dixhitale nuk është cenuar dhe deri tani nuk ka dhënë shenja vulnerabiliteti as nga jashtë, jo më nga brenda”, tha Rama.

Ai deklaroi më tej se e-Albania është si kulla e kontrollit të avionëve, jo garazhi. “Kontrollon të gjitha flukset. Kjo është e gjitha një farsë e orkestruar nga ata të cilët i kanë përdorur ato të dhëna për veten e tyre dhe ua kanë hedhur patronazhistëve. Janë të dhëna të përdorur nga ata për tua hedhur patronazhistëve se po bëjnë atë punën e mundësuar nga përdorimi i shtetit. Kjo është shumë e ngjashme. Cila mund të jetë nevoja në botë e shtetit, e shumicës qeverisëse për të bërë gjëra të tilla. Më thoni një nevojë se cila është nevoja e të tjerëve do ua them kur të mbarojnë hetimet”, u shpreh Rama.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: