Zv. kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, gjatë një konference për mediat përjashtoi çdo mundësi se autoriteti i konkurrencës ka miratuar qëllimisht rritjen e çmimit të miellit.

Ai tha se ka pasur një investigim të gjatë në miratimin e këtij vendimi dhe beson se është votuar në sajë të përgjegjshmërisë maksimale.

“Unë kam besim te autoriteti i konkurrencës, ata janë profesionistë, edhe si një ent i pavarur e respektoj vendimin e tyre. Vendimi që ata kanë votuar që s’ka monopol në tregun e miellit, praktikisht besoj që kanë bërë investigim të thellë dhe kanë votuar me përgjegjshmëri maksimale”, tha Ahmetaj.

Sa i përket propozimit të opozitës, më konkretisht Partisë Demokratike për uljen 6% të mallrave të shportës, Ahmetaj u përgjigj:

“Propozimi i opozitës nuk është se është paraqitur një dokument zyrtar që të komentoj, kur të paraqitet do të merrni dhe komentet tona zyrtare”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb