TIRANË- Julian Hodaj, zv.ministër i Brendshëm që nga 9 tetori komentoi sot në studion e emisionit “Kjo javë” në News 24 akuzuat e opozitës se policia e Elbasanit kishte tentuar të fshihte arrestimin e biznesmenit O.S, që nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, e që më pas rezultoi se udhëtonte me 368 mijë euro dhe dy patenta për mjete lundruese në emër të ish-ministrit Saimir Tahiri.

“Faktet janë aty, ky shtetas u ndalua nga policia e shtetit se nuk iu bind urdhrit të policisë, u kontrollua makina, u konstatuan paratë dhe u informua prokurori. Kush e njeh pak Kodin e Procedurës Penale e di që është prokurori ai që merret me këtë. Çdo gjë është e dokumentuar, prokuroria ka ndërhyrë në kohë reale dhe policia ka bërë punën e saj”,- tha ai, siç raporton BalkanWeb.

Hodaj komentoi më tej edhe rezultatet e raportit të monitorimit nga ajri të territorit shqiptar nga Guardia Di Finanza për vitin 2017-të, prej të cilit tha se policia ka shumë arsye të jetë e kënaqur.

“Nuk ishin thjesht rezultate inkurajuese por entuziaste. Jemi të kënaqur se ky raport se është një burim i besueshëm e s’mund të akuzohet për spekulime”,- vijoi ai.

Por pavarësisht rezultateve, Hodaj pranoi se zona si Shkodra, Malësia e Krujës por edhe një zonë e Skraparit mbeten ende problematike sa i përket kultivimit të kanabist.

Ai foli për një strategji të qartë me të cilën do vijohet të luftohet fenomeni i kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. “Po punojmë që tani, që të parandalojmë kultivimin e drogës vitin që vjen. Do mundohemi ti rafinojmë lëvizjet që të kemi rezultate sa më konkrete”,- shtoi Hodaj.

E sa për deklaratat e ministrit të Brendshëm italian, Marco Minitti se duheshin luftuar të paprekshmit, Hodaj tha me siguri që në Shqipëri askush nuk është i paprekshëm.

“Në dijeninë time nuk ka sot të paprekshëm. Viti 2018 do jetë domethënës në këtë drejtim. Do planifikojmë akoma më mirë masat e marra dhe do hedhim një hap cilësor në luftën ndaj këtij fenomeni dhe grupeve që kultivojnë dhe trafikojnë”,- tha ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: