Për gati 50 minuta, u mblodh dje Asambleja e PS-së, e cila mori disa vendime që sollën ndryshime në selinë rozë. Por para këtyre vendimeve, në të gjitha mediat qarkulloi lajmi mbi shkarkimin e ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, që u konfirmua edhe zyrtarisht. Nuk kaloi shumë dhe erdhi dhe mohimi nga vetë protagonistët, kryeministri Edi Rama dhe ministrja Ibrahimaj. Për mediat, Rama tha prerë para se të futej në Asamblenë e PS-së se ‘jo, jo, jo!’, duke mohuar kështu shkarkimin.

Ndërkohë, më e gjatë ishte përgjigja e Ibrahimajt, e cila e cilësoi lajmin për mediat si thashetheme vere. “Nuk jam shkarkuar, s’kam dhënë dorëheqje, është koha e thashethemeve të verës. Nuk jam shkarkuar.”, tha ajo mes buzëqeshjes. Në një lidhje live nga selia rozë, gazetari Egys Gjençaj tha se lajmi për shkarkimin ishte konfirmuar nga burime zyrtare, ndërsa tha se Rama siç duket ishte tërhequr në moment të fundit nga vendimi për largimin e Ibrahimajt nga posti i rëndësishëm i Financave.

Por, dita e djeshme nuk prodhoi vetëm këtë lajm, pasi asambleja vendosi që të bëjë disa ndryshime të tjera. Kreu i PS-së, shkarkoi Damian Gjiknurin nga posti i sekretarit të Përgjithshëm, për t’ia besuar deri në shtator pozicionin Blendi Klosit. Ndërkohë, në vend të Ballës, si kryetar i grupit të PS-së, u vendos Bledi Çuçi, duke bërë kështu një lëvizje rokadë, pasi ky i fundit ishte ministër i Brendshëm.

Ndonëse mbledhja dje u zhvillua me dyer të mbyllura, u mësua dhe mesazhi që Rama i drejtoi kryebashkiakëve dhe deputetëve të tij. “Kryebashkiakët të bëjnë punë të ndershme, të mos shkojnë në dyert e SPAK. Deputetet të angazhohen me shumë si në terren edhe në jetën parlamentare.”, tha ai, ndërsa vlerësoi për kontributin në Parlament të dy figurave me rëndësi të qeverisë së tij, ministrin Taulant Balla dhe Elisa Spiropalin.

Sekretarët e shkarkuar:
1-Sekretari për Organizimin, Blendi Klosi
2-Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Eridian Salianji
3-Sekretare për Burimet Njerëzore Anila Denaj
4-Sekretare për Koordinimin, Blerina Gjylameti
5-Sekretari Dixhital, Etjen Xhafaj
6-Sekretare për Gruan, Etilda Gjonaj
7-Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë, Romina Kuko
8-Sekretari për Migracionin, Laert Duraj
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb