Prej 22 nëntorit përfaqësuesja e Kosovës është pa trajner, sepse largoi sllovenin Primoz Gliha, i cili e drejtoi ekipin vetëm 6 ndeshje, pas shkarkimit të francezit Alen Zhires. Pas një zhgënjimi në grupin e kualifikueseve të Europianit, federata po mendon për epokë të re në edicionin e ardhshëm, duke e nisur nga një trajner i ri.

Në një intervistë të dhënë për Panorama Sport, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sqaron zërat lidhur me me dy kandidatët që përfliten më shumë në këto momente. Sipas tij, Xhani De Biazi është ofruar dhe sugjeruar nga shumë njerëz të futbollit, por në këto momente nuk është opsion për stolin e Dardanëve.

Po ashtu, edhe Ilir Daja, që sipas Ademit, kampionatit kosovar i nevojitet 3-4 trajnerë si ai, por jo për të drejtuar përfaqësuesen. Ndërkohë, së fundmi, numri një i federatës së Kosovës, është fotografuar në Stamboll në një darkë me trajnerin spanjoll Roberto Moreno, që së fundmi ishte në stolin e Granadës dhe bashkëpunoi edhe me Myrto Uzunin, ndërsa më herët ka pasur një aventurë edhe në Francë te Monaco.

Eksperienca në një kombëtare nuk i mungon Morenos, pasi për tre muaj drejtoi Spanjën pas largimit të Luis Enriques. Gjithsesi, Agim Ademi ka pohuar se trajneri i ri do të zgjidhet në fund të janarit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb