Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i cili prej 1 viti e gjysmë menaxhohet nga ‘Kastrati Group’ shënon një fluks pasagjerësh në rritje. Pandemia Covid-19 tashmë ka mbaruar dhe udhëtaret iu janë rikthyer fluturimeve. Vetëm gjatë muajve të parë të vitit 2022 Aeroporti i Rinasit ka shënuar 1 milionë pasagjerë, një shifër e lartë kjo krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve paraardhëse kur pandemia mbylli kufijtë.

Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit është duke u përgatitur gjithashtu për një numër rekord turistësh që do të hyjnë e dalin nga Shqipëria në sezonin veror që po afron.
“Mendojmë se fluksi do të shtohet ende duke marrë në konsideratë që jemi para sezonit turistik më të lartë dhe ne kemi objektivin për 4.2 mln pasagjerë brenda këtij viti. Por duke parë trendin e deritanishëm të fluksit të pasagjerëve mendoj se do të shtohet. Vetë Eurocontroll ka nxjerr një raport për rikuperimin pas covidit dhe aeroporti jonë është i vetmi që nuk është 100% rikuperim por 135% rikuperim nga pjesa e covidit dhe kjo duke marr vlerat vetëm nga vera e vitit të kaluar.”, tha Denisa Shena.

Nga aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit kryen mbi 50 fluturime në ditë, por pritet të shtohen edhe destinacione të reja. “Ne kemi shtuar shumë destinacione këtë vit dhe do të shtohen shumë të tjera. Do të kemi shtim të destinacioneve drejt Greqisë pra të ishujve grek, Mikonos së shpejti me linjë direkte Selaniku, do të rifilloj Kreta që ishte destinacion i kërkuar, Varshava, Lioni, jemi gjatë gjithë kohës duke shtuar destinacione dhe duke shtuar numrin e fluturimeve. Deri në muajin prill ne kemi pasur mesatarisht 7 destinacione të reja.”, pohoi Shena.

Ndryshimi pronësisë së aeroportit ndërkombëtar të Rinasit ndryshoi edhe modelin e biznesit duke ulur çmimet e shërbimeve për udhëtarët dhe duke ulur tarifën e pasagjerit, gjë që do ndikojë edhe në uljen e çmimit të biletës. “Duke ulur tarifën e pasagjerit ne ndikojmë në çmimin e biletës por gjithashtu duke I ofruar kushte me miqësore operacionale kompanive ajrore kemi ndihmuar që ata të rishikojnë çmimet e biletave dhe të ofrojnë çmime më konkurruese. Krahasimisht me vendet e rajonit kemi një nivel shumë të lartë të trafikut ajror çmime shumë të mira por gjithashtu kemi destinacione shumë të veçante nga të cilat vendet fqinje fluturojnë nga ne si psh; drejt Madridi, vendet nordika apo destinacione të ndryshme drejt Italisë.”, tha Shena.

Kastrati Group zotëron 100 % të aksioneve të aeroportit të Rinasit dhe parashikon të kryejë një investim mbi 120 milionë euro brenda afatit të kontratës koncesionare. Parashikohet zgjerimi i terminalit të pasagjerëve dhe i pistës për t’i ofruar udhëtarëve mjedise edhe me komode. “50% e kësaj vlere po investohet që në 3-4 vjecarin e parë, investimet janë bërë të shumta janë bërë për shtimin e hapësirave komerciale pra për të ofruar më shumë shërbime ndaj pasagjerëve tanë. Po bëhet zgjerime të terminalit për të patur më shumë porta hyrëse dhe dalëse dhe në këtë mënyrë do të kemi një kapacitet më të lartë dhe do ti ofrohet një shërbim më I mirë pasagjerëve tanë.”, pohoi ajo.

Një nga ndërhyrjet e fundit në këtë aeroport është edhe salla e re VIP, një hapësirë e dekoruar me motive tradicionale shqiptare. Dizajni i ri i Sallonit të Biznesit krijon një pikë ndalimi për pasagjerët për të shijuar, relaksuar dhe përjetuar një përfaqësim të vogël vizual të Shqipërisë që integron traditën në atë modern.

Edhe fluturimet me charter nuk kanë munguar nga aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit të cilat do të shtohen për shkak të Conference Liga që do të mbahet në datën 25 maj në Tiranë. “Jemi shumë të kënaqur me kërkesat për chartera për pjesën e kampionatit konferencave të UEFËS ne kemi kërkesa shumë të larta dhe mendoj se do të kemi një trafik të lartë pasagjerësh. Kemi një shtim të charterave dhe nga destinacionet që nuk i kemi pasur si Barhemi”, theksoi Denisa Shena. Aeroporti i Rinasit është porta kryesore e transportit ndërkombëtar te pasagjereve në vend, dhe investimet e reja pritet te rrisin kapacitetet e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb