Në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, është ndaluar përkohësisht përdorimi i motorit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Tarek Aryen, në një deklaratë për media tha se ngasja me motor është e ndaluar përkohësisht në Kabul dhe në rrethet e tij.
Duke shprehur se ata presin që publiku të mbështesë forcat e sigurisë, Aryen deklaroi se edhe pse situata krijon probleme për disa banorë të Kabulit, motorët e atyre që nuk i përmbahen ndalimit do të konfiskohen.
Megjithëse arsyeja e këtij ndalimi nuk është zbuluar ende, vlerësohet se është vënë në praktikë për shkak të kërcënimeve në rritje të sigurisë.
– Rritet dhuna në vend
Teksa procesi i paqes në Afganistan mbetet i pasigurt, sulmet vazhdojnë ende.
Më 21 qershor, talebanët morën kontrollin e rretheve Devlet Abad, Sholgere dhe Kishindeh të provincës Balkh në veri të vendit.
Gjithashtu kontrolli i dy rretheve në provincat veriore të Belh dhe Samangan ra në duart e organizatës më 20 qershor.
Numri i rretheve nën kontrollin e talebanëve në 2 muajt e fundit ka kaluar mbi 45.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, talebanët kontrollojnë 50 deri në 70 për qind të territorit të vendit, duke përjashtuar qendrat urbane.
Sipas informacioneve të marrë nga autoritetet lokale, talebanët kanë marrë kontrollin në më shumë se 130 nga 407 rrethe, përfshirë qendrat e tyre. Nga këto, disa qytete në rreth 60 rrethe janë nën kontrollin e forcave afgane të sigurisë.
Gjithashtu 34 qendrat provinciale të vendit janë nën kontrollin e qeverisë.
Luftimet vazhdojnë midis forcave të sigurisë dhe talebanëve në pjesën më të madhe të Afganistanit dhe përleshjet vazhdojnë në rreth 200 nga 407 rrethe.//AA