Nga: Rezarta Delisula*

TIRANE- Projektligji që përgatiti qeveria për pronat shkel çdo normë juridike dhe të drejta të fituara nga pronarët deri më sot. Shoqata “Pronësi me Drejtësi” e vlerëson këtë ligj të papranueshëm dhe kërkon tërheqjen e tij dhe zgjidhjen e problemit”.

Kështu shprehet Agim Toro, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”. Sipas tij, e drejta e pronësisë në Shqipëri gjatë këtyre 25 vjetëve jo vetëm që nuk ka gjetur zgjidhje të drejtë ligjore, por moskthimi i pronës pronarëve të shpronësuar ka ushqyer dhe vazhdon të ushqejë korrupsionin politik dhe ekonomik. “Edhe ky projektligj që na u paraqit shkel procedurën e kërkuar nga KiE dhe nuk ndryshon nga ligjet e deri më sotme, përkundrazi është më i keq, sepse legalizon korrupsionin, shkel haptazi të drejtat e pronësisë, duke vendosur standarde të reja pa asnjë logjikë e mbështetje në asnjë pikë të Kushtetutës dhe Kartës Europiane të Lirive të Njeriut”, thotë Agim Toro. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, sekretari i përgjithshëm i “Pronësi me Drejtësi” analizon në mënyrë të detajuar shkeljen e hapur të të drejtave të pronarëve dhe Kushtetutës së Shqipërisë.

Zoti Toro, ju kritikoni dhe e quani shkelje të të drejtës së pronësisë projektligjin e ri për pronat, ç’po ndodh sipas optikës suaj?  
Marrëdhënia e pronarëve shqiptarë me shtetin e tyre është analizuar në dhjetëra vendime të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Nisur nga këto vendime, në mars të vitit 2014, zv/ministri i Drejtësisë, Z.Peçi deklaroi publikisht se shteti shqiptar shkel çdo ditë të drejtat e njeriut në drejtim të pronës dhe se shteti shqiptar është në prag të falimentimit prej këtyre shkeljeve, pra të drejtave që kanë fituar pronarët dhe që gjykohen në Gjykatën e Strasburgut. Kjo është situata në të cilën gjendet Shqipëria. Sipas rekomandimeve të Gjykatës së Strasburgut, duhej të hartohej një ligj që të eliminonte shkeljet e konstatuara, të respektonte dhe zgjidhte drejtë çështjet e pronësisë sipas zgjidhjeve që jepte vendimi pilot i GJEDNJ. Ky ligj duhet të hartohej me transparencë të plotë, të ishte bindës për pronarët dhe të kishte zgjidhje konkrete të besueshme dhe në afate kohore të pranueshme. Edhe ky projektligj që na u paraqit shkel procedurën e kërkuar nga KiE dhe nuk ndryshon nga ligjet e deri më sotme, përkundrazi është më i keq, sepse legalizon korrupsionin, shkel haptazi të drejtat e pronësisë, duke vendosur standarde të reja pa asnjë logjikë e mbështetje në asnjë pikë të Kushtetutës dhe Kartës Europiane të Lirive të Njeriut.
Pse e cilësoni pa bazë kushtetuese këtë projektligj? 
Po jua shpjegoj me detaje pse ky draft është antikushtetues. 1. Në ligj është hequr nocioni kthim i pronës së marrë padrejtësisht nga shteti. Ligjet e derisotme, Arsyetimi i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë Shqiptare ka përcaktuar:”… dhe ligji 7698 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronareve” nuk janë mënyra të reja të fitimit të pronësisë, por korrigjim i padrejtësisë së bërë…” dhe po në këtë vendim më poshtë thuhet ”Nocioni kthim i pronës ose më saktë, kthimi i sendit objekt i së drejtës së pronësisë, Kodi Civil e përmend në rastin e padisë për kërkimin e sendit (action rivendicatio), neni 296 e vijues i tij. Në rastin kur  pranohet padia e rivendikimit, poseduesi jopronar duhet t’i kthejë pronën paditësit, në favor të të cilit është e njohur e drejta e pronësisë. Praktika gjyqësore, ashtu edhe literatura juridike, në këto raste nuk kanë vënë kurrë në dyshim ekzistencën e së drejtës së pronësisë të pronarit joposedues, mbi sendin objekt të padisë së rivendikimit. Pronari joposedues nuk ka humbur për asnjë moment titullin e së drejtës së pronësisë, por vetëm posedimin e sendit. Pikërisht kjo është arsyeja pse ligji e kthen atë në situatën e mëparshme, duke i njohur të drejtën e kthimit edhe të frutave të sendit (restitutio in integrum), dhe kur kjo nuk është e mundur, pranon vetëm kthimin e sendit (restitutio in parte)”.
Prona nuk është thjesht pronë fizike, e ngurtë, por të parët tanë i kanë blerë ato për të shtuar kapital, pra për t’u zhvilluar dhe rritur të ardhurat e tyre si dhe në zhvillimin perspektiv të pronës. Ne duhet ta shohim pronën jo si një gjë të thjeshtë, por si një aset që prodhon kapital dhe ky është një proces në vazhdim. Meqenëse pronat fizike janë të kufizuara dhe kërkesat për zhvillim janë në rritje, atëherë pashmangshmërisht vlera e pronës rritet dhe është kjo arsyeja që ne nuk biem dakord me emërtimet dhe vlerësimet e vitit kur është konfiskuar prona. Ne nuk kërkojmë fitimin e munguar, por të paktën me vlerën e tregut të sotëm. Nuk është shteti që i ka dhënë vlerë dhe që po e përfiton atë tani, por është zhvillimi ekonomik i shoqërisë që ka rritur vlerën e pronës. Sistemi komunist në kundërshtim me atë kapitalist, përkundrazi nuk e ka zhvilluar pronën në vlerë të njëjtë me sistemin kapitalist, prandaj dhe sistemi komunist dështoi. Po qe se pronarët do të gëzonin pronën nga viti 1945 e këtej, duke qenë se do të ishin në sistemin ku zhvillohet privatisht prona, do kishin përfitime shumë herë më të mëdha nga sa kërkojnë pronarët sot.
Pra, normalisht ka papërputhshmëri mes kërkesës së pronarëve e çmimeve që vendos qeveria për shpronësim?
Sigurisht, sepse sot shteti kërkon të përfitojë nga pronat tona, duke bërë vlerësimin për pronarët sipas zërit kadastral të vitit të shpronësimit, kurse për vete shteti e vlerëson sipas zërit kadastral sot, duke ndryshuar konceptin e ligjeve të derisotme. Kjo në thelb është një shpërdorim i së drejtës që shteti përfiton padrejtësisht, duke ndryshuar çmimet, në disa raste deri 200 herë në favor të shtetit. Kushtetuta shqiptare parashikon që prona fitohet me blerje ose me dhurim a trashëgim nga pronari. Sipas vlerësimit të projektligjit, prona përfitohet edhe duke i ndryshuar zërat kadastralë, pra në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë. Klasa politike shqiptare, e cila ka drejtuar vendin këto 24 vjet, gjithmonë në vendimmarrjet e tyre kanë premtuar dhe shkruar në ligj kompensim me çmimet e tregut, në kohën e sotme, kurse sot propozohet kompensim në mënyrë tjetër, ndërkohë që Gjykata e Strasburgut ka dhënë dhjetëra vendime duke vlerësuar sipas ligjit, me çmime të tregut dhe zërin kadastral të sotëm. Tani kërkojnë të ndryshojnë rregullat duke vendosur rregull tjetër dhe njëkohësisht krijojnë pabarazi midis pronarëve. Edhe kërkesa për të ndërprerë gjykimet në Gjykatën e Strasburgut është absurditet, pasi kjo qeveri ka më shumë se dy vjet në pushtet dhe nuk ka bërë asgjë, nuk ka dhënë asnjë vendim në favor apo kundër pronarëve, përkundrazi ka vazhduar të falë toka me ligjin 7501, të dhurojë toka me një euro, duke shpronësuar edhe pronarët me titull pronësie, u fal tokat ndërtuesve të paligjshëm (legalizimet bëhen falas), jep tokat me qira për 99 vjet thuajse falas (me një euro) e më pas përfituesit kanë të drejtë të blejnë tokë me çmime qesharake, duke stimuluar korrupsionin ekonomik e politik, pasi në fushata u premtohet votuesve dhënia e tokës me ligjin 7501 apo legalizimet falas, duke shtyrë njëkohësisht afatin për legalizimin e ndërtimeve deri në vitin 2014.
Cilat janë problemet kryesore që ju hasni, e ashtu siç e nisëm, pikë për pikë të projektligjit?
Merremi me nenin 3. Ky ligj shtrin efektet në gjithë vendimet e dhëna deri tashti nga viti 1993 deri në gusht 2013 (sepse prej gati 2 vjetësh AKKP nuk ka marrë vendime). Vendimet e dhëna deri në gusht 2013 janë të barasvlefshme me vendimet e gjykatave dhe ky draftligj i ndryshon ato vendime. Në pikën 2 të nenit 3 i jep ligjit fuqi prapavepruese, sepse shtrin efektet edhe mbi vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve të dhëna nga organet administrative nga 1993 deri më 2013, në vendimet e gjykatave, duke i ndryshuar ato sipas këtij ligji dhe arrin deri atje sa t’i kërkojë gjykatës së Strasburgut të mos gjykojë çështjet që janë në shqyrtim. Në nenin 5 fillojnë absurditetet juridike. Në pikën 3 përcaktohet “Kompensim fizik brenda pronës së njohur subjektit të shpronësuar”. Pra, brenda pronës së vet, pronari do të kompensohet. Në pikën 5 të këtij neni përcaktohet “Fondi i tokës” është fondi fizik i pronave me status juridik shtet… pra çdo pronë quhet shtetërore, pavarësisht nga origjina e saj.
Në pikën 7 përcaktohet se “truall” nënkupton tokën që ndodhet brenda vijave kufizuese të qendrave të banuara në çastin e shpronësimit… dhe ky definicion është për pronarët kurse për shtetin, truall nënkupton tokën që është brenda vijave kufizuese të qendrave të banuara sot. Kjo bëhet me qëllime të caktuara që dalin në pah në nenet e mëposhtme. Në të njëjtat kushte janë edhe konceptet e përkufizimeve të tokës bujqësore, truallit industrial, etj.
Në pikën 15 përcaktohet harta e vlerës që del vetëm nga vendimi i K.M. pa asnjë referencë. Kështu humbet koncepti i çmimit të tregut dhe ky vendim është i pandryshueshëm dhe i padiskutueshëm. Pika 16 fut konceptin absurd të kompensimit brenda pronës së pronarit.
Ju përmendët pak më lart se një nga problemet është edhe Strasburgu, por edhe gjykatat shqiptare, të cilat kanë dhënë vendime për kompensim të pronarëve me çmimin e tregut, ky projekt ligj sipas jush e heq këtë të drejtë?
Po jua shpjegoj këtë me pikën 17, ku përcaktohet përfundimisht se vlera e pronës është vetëm ajo që përcakton ATP, pra edhe gjykatat nuk mund të vendosin ndryshe, duke shmangur kontrollin gjyqësor të vendimmarrjes administrative dhe duke e bërë procesin gjyqësor të paefektshëm për të zbatuar detyrimet kushtetuese. Në pikën 18 futet një element i ri antikushtetues, “Vendim përfundimtar”, që është çdo vendim administrativ apo gjyqësor, i cili nuk i nënshtrohet një procedure kontrolli dhe rishikimi nga një autoritet më i lartë administrativ… Pra, të gjithë vendimet e dhëna deri më sot nuk janë vendime përfundimtare, pasi mund të rishikohen nga një autoritet më i lartë administrativ dhe kjo është shkelje e rëndë e Kushtetutës. Kemi dy vendime të Gjykatës Kushtetuese shqiptare (nr. 27.05.2010 dhe nr. 43 dt. 06.10.2011) që i kanë hequr të drejtën administratës të të gjitha niveleve të rivlerësojë vendimet e komisionit të kthimit e kompensimit të pronave në vite, që janë të barabartë me vendimet gjyqësore.
Pika 19 është e pakuptueshme, fut termin “vendim përfundimtar”. Çfarë dmth. Vendimet e dhëna kanë marrë formë të prerë një muaj pas dhënies së tij në qoftë se nuk ka pasur ankim. Ky ligj zhvlerëson të gjitha vendimet e dhëna.
5. Neni 6 qysh në pikën 1 vendos standarde dyfishe kur ndan pronën e shtetit nga ajo e pronarit, duke i dhënë të njëjtës sipërfaqe toke vlera të ndryshme dhe zvogëlimin e këtyre vlerave ia faturon pronarit. Në të gjithë nenin përcaktohet se vlera e tokës për pronarin do jetë sipas zërit kadastral në momentin e shpronësimit, kurse kompensimi brenda tokës së vet do bëhet me çmimet sot. Me këtë nen, grabitësi i pronës, në vend që ta kthejë në origjinë pronën e marrë pa të drejtë, i shet sipas dëshirës së tij pronarit tokën e vet. Ky është arbitraritet shtetëror dhe vjedhje në emër të ligjit.
A mund të na jepni ndonjë rast konkret për ta kuptuar më mirë?
Po ju jap disa raste të zgjidhjeve të propozuara nga ky nen. Rasti i pronësisë në rrugën “Komuna e Parisit”: A. Rasti kur një pronar, ta zëmë ka një tokë në rrugën “Komuna Parisit” këtu në Tiranë dhe nga 10000 m2 që ka pasur në pronësi, me ligjin 7698/1993 në vitin 1995 i janë kthyer 1000 m2 dhe pjesa tjetër prej 9000 m2 do kompensohet. Për pronarin vlera e tokës llogaritet si tokë bujqësore (që ka qenë më 1945) me vlerën e tokës bujqësore të zonës më të afër, pra Vaqarit, ku çmimi i tokës bujqësore është 260 lekë për metër katror, për pronarin toka vlen 10000 m2 X 250 lekë = 2500000 lekë, kurse për shtetin e njëjta sipërfaqe toke e ka vlerën 57500 lekë për metër katror, pra toka për shtetin vlen 10000 m2 X 57500 lekë = 575000000 lekë. Sipas shtetit, për tokën e kthyer pronarit prej 1000 m2 i është kthyer një vlerë prej 1000 m2 X 57500 lekë = 57500000 lekë. Në këtë rast pronari quhet i kompensuar dhe duhet t’i kthejë shtetit 55000000 lekë që ka marrë tepër.
B. Po ky rast në rast se AKKP akoma nuk ka marrë vendim për kërkesën e bërë, pra është pjesë e rreth 9000 dosjeve pa vendim, vendimi që do të merret do t’i kthejë vetëm 60 m2 tokë e kthyer nga 10000 m2 që është shpronësuar, kjo sepse vlera e tokës sipas ligjit të ri është 3 euro për metër katror, pra 10000 m2 X 250 lekë = 2500000 lekë, kurse sipas asaj që jep shteti 43 m2 X 57500 lekë = 2470000 lekë, pra po të kthejë 43 m2 dhe u lamë.
C. E njëjta situatë ndodh me zonat turistike, ku pronarët kanë pasur në pronësi kullota, por duke qenë në zona turistike kanë çmim më të lartë se kullotat, në një kohë që deti atje ka qenë e atje dhe është, por për pronarin do merret çmimi i kullotës në malin më të afërt.
 II. E njëjta situatë ndodh për shembull në zgjatimin e bulevardit psh.: A, subjektit të shpronësuar i është njohur e drejta e pronësisë dhe pret kompensimin. Atij toka do t’i vlerësohet si tokë bujqësore me çmimet e tokës bujqësore në Babrru, pra 250 lekë për metër katror.
B. Një qytetar që ka marrë tokën me ligjin 7501, quhet pronar dhe i është kthyer toka bujqësore në truall dhe kompensohet me 35000 lekë për metër katror, pra 140 herë më shtrenjtë se pronari.
C. Një qytetar që ka ndërtuar pa leje dhe është legalizuar dhe toka i është falur, tani shpronësohet me çmim 35000 lekë për metër katror.
Kështu lind pyetja: Për cilin ka detyrim shteti, për subjektin e shpronësuar apo që ata që shkelin ligjin, pushtojnë dhe ndërtojnë pa leje dhe shteti ua fal tokën për qëllime të korrupsionit politik?
Me sa po shpjegoheni e po analizoni nen për nen ligjin, del se për disa kompensime që shteti mund t’i quajë të pabaza, pronari duhet të kthejë mbrapsht paratë?
Po, saktë e keni kuptuar dhe në pikën 7 të nenit 6 është absurditeti tjetër, që të gjitha vendimet e dala deri më sot prej më shumë se njëzet vjetësh do t’u nënshtrohen rregullave të këtij ligji, pra ky ligj merr fuqi prapavepruese dhe të gjithë ata që kanë përfituar nga ligjet e mëparshme, megjithëse ato vendime vlerësohen si të barabarta me vendimet gjyqësore që çuditërisht ky ligj i ndryshon. Pronarët që kanë përfituar me vendime nga ligjet e derisotme duhet të kthejnë pronat e fituara në natyrë, kurse ata që janë kompensuar qoftë edhe me vendimet e Strasburgut, duhet të kthejnë lekët. Në datën 10.11.2015 doli vendimi i fundit i Gjykatës se Strasburgut sipas të cilit, subjekteve përfituese duhet t’u paguhet një shumë mbi 3 milionë euro. Me këtë ligj pretendohet urdhërimi për mosgjykim nga Gjykata e Strasburgut.
Sipas këtij ligji, po të zbatohet me korrektësi edhe për ata që kanë përfituar deri tani lind pyetja: Sa është borxhi që pronarët i kanë shtetit për vendimet e mara sipas ligjit të kohës me kthim në natyrë të pronës apo të kompensuar me vendime të AKKP apo të gjykatës ndërkombëtare? Sa është borxhi që pronarët i kanë shtetit për pronën që nuk u është kthyer akoma? Të gjitha sa theksuam më sipër sanksionohen në nenin 7, ndërkaq që sipas nenit 16, ATP-ja do rivlerësojë të gjitha vendimet edhe ato që kanë kaluar në procese gjyqësore dhe nuk përjashtohen as ato që janë gjykuar nga Strasburgu.
Po mënyra e kompensimit a quhet e drejtë sipas jush, apo a janë marrë parasysh propozimet tuaja?
Në nenin 8 përcaktohen format e kompensimit ku në pikën 1 germa A “me pronë të paluajtshme, në pronësi të shtetit” lind pyetja çfarë quhet pronë shtetërore dhe çfarë origjine ka ajo. Me këtë ligj, njësoj si në Kushtetutën e vitit 1976, shteti e shpall veten pronar, shet në ankand pronën e pronarit, rregullat e zbatimit të ligjit i vendos drejtori etj.. Pra, Kushtetuta e vitit 1976 akoma nuk është fuqizuar në mendjen e hartuesve të këtij projektligji. Në nenin 13, drafti i jep ATP kompetenca të organizojë ankande, duke shitur pronat e pronareve sipas dëshirës dhe vetëm pronat që nuk shiten do t’u jepen pronarëve për kompensim dhe në nenin 14, kur nuk pranohet kompensimi me këto toka, atëherë ATP vendos vetë. Subjektet që kërkojnë kompensim duhet të deklarojnë se heqin dorë nga pjesa e mbetur e kompensimit dmth., po deshe prano çfarë të jep ATP, ose ngelesh pa gjë. Neni 15 i jep të drejtë administratës të rishikojë dhe rivlerësojë të gjitha vendimet e dhëna deri më sot, duke i dhënë ligjit fuqi prapavepruese. Kjo është pasiguri e theksuar juridike për të gjitha subjektet e shpronësuara. Është për t’u çuditur, por në ligj mungon plotësisht përcaktimi se kush përfiton nga ky ligj, subjekti i shpronësuar zëvendësohet me fjalën subjekt i interesuar dhe subjekt interesuar është kushdo, qofte edhe një që e ka zaptuar tokën. Neni 17 është diskriminues për pronarët, sepse fut pagesa të ndryshme për kohë të ndryshme, pra në qoftë se e do pagesën për 1, 3 apo 5 vitesh paguhet pjesërisht, me 20%, 30% apo 40% të vlerës. Nuk mjafton që pronarëve u është mohuar prona për 70 vjet, por t’u ulet edhe kompensimi, sepse nuk kanë bukë të hane apo duan të mjekohen. Shteti shfrytëzon varfërinë dhe vuajtjen morale të pronarëve prej 70 vjetësh. Ndërkohë që zgjidhja konform Kushtetutës siç ka propozuar shoqata “Pronësi me Drejtësi” mbetet kthimi fizik dhe kompensim për prona të tjetërsuara për nevojat publike. Neni 18, në rast mbivendosjeje, pra në rast se shteti i ka dhënë pronën dy subjekteve e atëherë, megjithëse njeri është gabim dhe ky gabim është bërë nga shteti, konfliktin në gjykatë do ta zgjidhë pronari i varfër kundrejt falsifikatorit të pasur dhe me përkrahje politike. Në këto raste shteti nuk ka asnjë përgjegjësi. Te futet prokuroria dhe të dënojë përfituesit e paligjshëm dhe përgjegjësit e kësaj situate si dhe të anulojë vendimet e gabuara.
Në nenin 19 të projektligjit, pronari ka të drejtë të hapë gjyq në gjykatë?
Po, ka të drejtë të ankohet në Gjykatën e Apelit Administrativit, por vetëm për vlerën e tokës që do të kompensohet dhe për asgjë tjetër, pra moskthimi fizik i pronës, vendosja e çmimeve arbitrare për borxhet që pronarët i kanë shtetit si rezultat i ndryshimit të ligjit etj., etj., pronarët nuk mund të ankohen. Njëkohësisht në ligj përcaktohet qartë se çmimet e tokës përcaktohen vetëm me vendim të K.M. dhe gjykata nuk ka çfarë të gjykojë. Edhe po të shkojë në gjykatë subjekti i shpronësuar, cili do të jetë objekti i gjykimit? Nuk ka objekt nëse ky ligji zbatohet me korrektësi nga ATP. Kjo e drejtë ndryshon në nenin 29 të ligjit, ku u jep të drejtë palëve të interesuara dhe Avokaturës së Shtetit të ankohen pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Këtu kemi një ndryshim esencial konceptual, nuk jemi më subjekte të shpronësuara, por palë e interesuar dhe palë e interesuar janë edhe ndërtuesit e paligjshëm, personat që kanë privatizuar apo marrë me qira tokën e pronarit, ndërtuesit e fshatrave turistike etj., etj.. Ky ndryshim konceptual bëhet me qëllim që të mbrojë korrupsionin me pronat e pronareve të zonave turistike dhe legjitimon edhe Avokaturën e Shtetit për të goditur çdo vendim të ATP. Lind pyetja pse do shkojnë në gjyq subjektet e shpronësuara të dhëna gjatë këtyre 25 vjetëve dhe gjykata të rrëzojë vendimet me anë të të cilave u është kthyer prona subjekteve të shpronësuara?
Absurditeti vazhdon se ankimet nuk bëhen më në Gjykatën e Apelit Administrativ, por në Gjykatën e Apelit Civil. Mendje shumë e hollë për të shkatërruar gjithçka. Në nenin 20 dosjet e patrajtuara nga AKKP do të trajtohen sipas të drejtave që u jep ky ligj, pra nuk mund t’u kthehet fizikisht në natyrë. Kjo rrëzon një nga parimet bazë të drejtësisë, që të drejtat e dhëna me ligj nuk mund të ndryshojnë me një ligj tjetër të mëvonshëm. Fakti qe AKKP ka mbi dy vjet që nuk merr asnjë vendim duke abuzuar haptazi me detyrën (megjithëse ka shtyrë dy herë me ligj afatin e vendimmarrjes) tregon se kjo moskryerje e detyrës lidhet me qëllimin e humbjes së të drejtave të subjekteve të shpronësuara, sipas ligjit të ri. Në nenin 21 është hequr fjala kthim fizik në natyrë i pronës së shpronësuar padrejtësisht, duke u zëvendësuar me fjalët ‘kompensim fizik’ në natyrë brenda pronës së vet. Na duket pa kuptim, por në fakt është thelbi i ndryshimeve të projektligjit të ri. Nuk ka kthim prone. Në pikën 6 u hiqet mundësia e kthimit fizik të tokave të trajtuara sipas shtojcës 1 të ligjit, dmth. tokat e zëna nga fshatrat turistike, pra në thelb pronari nuk ka mundësi më të investojë në zonat turistike, sepse këtë mundësi a ka marrë personi i stimuluar sipas ligjit për turizmin. Pronari do të bëjë vetëm shëtitore, ku do shëtisin pronarët e vilave në zonat turistike. Në piken 8, me ligin aktual ishte e përcaktuar se tokat e zëna nga ndërtimi i hidrocentraleve trajtoheshin si troje industriale, kurse ky ligj i trajton si kullota apo toka bujqësore, duke ulur vlerën në dhjetëra herë, megjithëse shteti ka përfitime jashtëzakonisht të mëdha nga këto toka.
Pika 2 e nenit 22 nuk është shkruar mirë sipas këtij ligji, sepse e drejta e parablerjes faktikisht është shuar. Pronari i tokës në asnjë rast nuk mund të jetë pronar i truallit ku është ndërtuar objekti shtetëror, pra ky nen është krejtësisht fiktiv dhe formal. Është formal, sepse ‘kthim fizik në natyrë’ nuk përcaktohet në asnjë nen të ligjit, pra edhe në këtë rast nuk mund të ushtrohet e drejta e parablerjes, sepse oborri funksional dhe toka nën objektet shtetërore nuk i kthehen pronarit. Neni 23 përcakton se tokat që shteti ka dhënë me qira për 100 vjet me një euro i kthehen pronarit, por me kusht të respektojë kontratat, pra pas 100 vjetësh. Edhe 18000 ha e tokës që iu hoqën AKKP në dhjetor 2013 dhe u dhanë me qira, praktikisht mund t’u kthehen pronarëve pas 100 vjetësh.
Neni 24 ndryshon rregullat e legalizimeve, ku pronarët për tokën e zënë me ndërtime pa leje kompensohen në zërin kadastral truall dhe me çmimet e tregut si shpronësime për interes publik. Kjo bie ndesh me nenin 41 të Kushtetutës. Sipas këtij, neni prona që u shpronësohet pronarëve duhet të trajtohet sipas rregullave të këtij ligji. Pronarët e shpronësuar për ndërtimet pa leje me vendime të K.M. dhe që kanë aplikuar prej gati dy vjetësh nuk marrin lekët e vendosura me VKM, sepse tashti do t’u ndryshojë vlerësimi. Lind pyetja: po ata pronarë që kanë marrë 57% të lekëve sipas ligjit ekzistues, sa lekë duhet t’i kthejnë shtetit për kompensimin e pjesshëm, por sipas rregullave të ligjit të sotëm dhe jo të ligjit të ri?
Neni 25 i ligjit përcakton qartazi se për pronat e zëna për nevoja publike nuk i nënshtrohen kompensimit. Pra, në qoftë se mbi një pronë është ndërtuar një rrugë, një spital apo një shkollë etj., etj. dhe për këtë tokë pronarët presin kompensim, kompensim nuk ka dhe sipas këtij ligji, nuk bëhet kompensim. Është kjo arsyeja që AKKP njofton me anë të medias se ka 23000 vendime të zbatueshme sipas këtij ligji që dmth. se rreth 30000 vendime të tjera shpallen të pavlefshëm sepse në përmbajtjen e tyre kanë kompensim për tokat e zëna për qëllime publike. (Në Gjykatën e Strasburgut, në vitin 2010 AKKP njoftonte se në arkivin e saj kishte rreth 55000 vendime).
Neni 27: Afati i paraqitjes së kërkesave të reja është 60 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe subjektet e shpronësuara nuk mund të rivendosin në afat kërkesat e tyre edhe me vendim gjykate. Pra, shuhet një herë e përgjithmonë mundësia për të kërkuar pronën, pavarësisht arsyeve që ka subjekti i shpronësuar (p.sh. gjen për herë të parë dokumentet). Mohimi i rrugës gjyqësore për të kërkuar të drejtat është absurditet. Neni 29 nuk është për subjektet e shpronësuara, por për palët e interesuara. Subjektet e shpronësuara kanë të drejtë të shkojnë në Gjykatën Administrative vetëm për çmimin (neni 19), kurse sipas këtij neni, çdo palë e interesuar që rastësisht preket nga një vendim i AKKP ka të drejtë të shkojë në Gjykatën e Apelit. Neni 30 Pika 2. Për vendimet që nuk u është dhënë formë e prerë për shkak të ndryshimeve të ligjit… pra të gjitha vendimet e dhëna nga viti 1993 deri më sot nuk quhen të formës së prerë, por rivlerësohen nga ATP në rrugë administrative. Ku është siguria juridike dhe si vlerësohen ligjet e deritanishme. Ligjet e deritanishme janë miratuar me konsensusin e të gjitha palëve në Kuvend dhe sot ne nuk kemi ndryshim sistemi si më 1991, por shteti ka qenë në vazhdimësi i njëjti dhe është absurde që sot e gjithë ligjshmëria e deritanishme të vlerësohet nul dhe pasojat që kanë sjelle këto ligje të bëhen nul. Neni 32, në bazë të nenit 22 të ligjit 9235 për subjektet e shpronësuara që kishin një vendim kompensimi, por që ligji 9235 ndryshoi të drejtën nga kompensim në kthim fizik në natyrë, atëherë subjektet bënin një kërkesë të re dhe plotësohej vendimi i mëparshëm nga kompensim në kthim në natyrë. Sot me ligin e ri, subjektet që kanë bërë kërkesë, por që AKKP nuk ka marrë vendim, kërkesa u kthehet në të kundërt, pasi jo vetëm që nuk u kthehet prona sipas kërkesës, por humbin edhe kompensimin sipas të drejtave që jep ky ligj, i cili në këtë rast merr fuqi prapavepruese. Në nenin 33 përcaktohet afati i përfundimit të vendimmarrjes për rreth 9300 dosje pa vendim që gjenden në AKKP. Ka dy vjet që AKKP nuk ka marrë asnjë vendim dhe ka ndryshuar dy herë me ligj afatin e përfundimit të këtij procesi me arsyetimin se koha nuk mjaftonte (shih relacionet e projektligjeve të miratuara). Tani AKKP merr përsipër ta realizojë këtë detyrë për tre vjet. Logjikisht AKKP nuk e arrin dot, përveç mundësisë që të shtypë, në shtypshkronjë, vendimet standard të mohimit për të gjithë.
Ju i bëtë një zbërthim nen për nen projektligjit duke verifikuar papajtueshmërinë tuaj. Çfarë do të ndodhë nëse projektligji miratohet?
Ky draft, nëse do të miratohet, do të provokojë padrejtësi dhe pakënaqësi, konflikte sociale veçanërisht në zonat turistike dhe do pengojë investimet e huaja private. Për hartimin e këtij projektligji përmendet ndihma e ekspertëve të Këshillit të Europës dhe Bankës Botërore. Shoqata nuk ka asnjë dijeni se  kush ka qenë dhe çfarë mendimesh kanë dhënë. Këta ekspertë që mbahen sekret nuk e njohin problematikën, por kanë realizuar formulimin për të arritur në konkluzionet që do qeveria dhe emri i KE dhe B.B. përdoren sot si mburojë për të justifikuar arbitraritetin dhe dhunën e shtetit ndaj të drejtave që garanton Kushtetuta. Ky projektligj është hartuar pa asnjë transparencë, nuk shoqërohet nga asnjë faturë financiare, shkel haptazi rregullat e vendosura deri tani nga Kuvendi i Shqipërisë gjatë këtyre 25 vjetëve, shkel konkluzionet e gjykatave të të gjitha niveleve duke përfshirë edhe Gjykatën e Strasburgut, shkel haptazi Kushtetutën dhe Kartën e Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: