Nga: Ermelinda Hoxhaj

Diabeti gjithnjë e më shumë në vendin tonë po prek të rinjtë dhe fëmijët. Mjekët thonë se rastet sa vijnë dhe shtohen, në veçanti në vitet e fundit, ku numri i fëmijëve me diabet tipi i parë është rritur ndjeshëm dhe mesatarisht ka mbi 25-30 raste të reja në vit. Shqetësues është fakti se kjo patologji, për të cilën nuk ka statistika të sakta, po zbret te grup-moshat më të hershme, duke filluar që te foshnjat. Sipas specialistëve, problemi kryesor për shtimin e rasteve me diabet është kequshqyerja, konsumimi pa kriter i disa ushqimeve jo të shëndetshme. Shoqata “Fëmijët dhe të Rinjtë me Diabet” në Shqipëri ka publikuar një studim në lidhje me koston që ka kjo sëmundje për një pacient. Ndër të tjera, kreu i shoqatës, Asim Toro ka deklaruar se në vendin tonë janë 1500 fëmijë dhe të rritur të prekur nga diabeti, dhe ky numër po vjen në rritje për shkak të kequshqyerjes, si dhe po shtohen rastet e fëmijëve të vegjël nën 7 vjeç. Po ashtu, ai tregon se sot, më datë 4 nëntor, do të organizojnë aktivitet sensibilizues në sheshin “Nënë Tereza”, në orën 10:00, ku do të bëjnë edhe matje të glicemisë për pjesëmarrësit. Pasi, sipas mjekëve specialistë, rreth 50% e të sëmurëve nuk janë në dijeni që janë me diabet.

Diabeti & Kostot
Diabeti mellitus (DM) është një çrregullim metabolik mjaft i shpeshtë. Sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit (IDF), në vitin 2014 rreth 400 milionë individë ishin të prekur nga diabeti (prevalenca midis personave 20-79 vjeç, rreth 8%), kurse në vitin 2035 pritet të preken më shumë se 200 milionë të tjerë. Ndërkohë që, gjysma e personave me diabet nuk e dinë se e kanë sëmundjen. Rreth 5-10% e diabetikëve kanë diabet tip 1, kurse rreth 85% e tyre vuajnë nga diabeti tip 2. Diabeti i llojeve të tjera është mjaft më i rrallë. Diabeti mellitus, tip 1, shfaqet kryesisht në fëmijëri dhe kontrolli i sëmundjes kërkon patjetër insulinë. Kurse diabeti tip 2 shfaqet zakonisht pas moshës 40-vjeçare dhe prevalenca e tij rritet me moshën, obezitetin dhe inaktivitetin fizik. Pjesa më e madhe e diabetikëve tip 2 mund ta menaxhojnë sëmundjen nëpërmjet ndryshimit të stilit të jetesës dhe medikamenteve të marra nga goja, por në disa prej tyre mund të kërkojë administrimin e insulinës. Komplikacionet e sëmundjes së diabetit përfaqësojnë një barrë të madhe financiare gjithashtu.

“Shpenzim i madh është mungesa e glukagonit, i cili mendohet se, në qoftë se hidhet një përdorim i gjerë i insulinave analoge, nuk do të jetë shumë i nevojshëm ky si material mjekësor. Problem tjetër është përdorimi i ageve në gjatësi të ndryshme për mosha të ndryshme që janë me diabet. Kurse problem tjetër shqetësues për ne janë testet e glicemisë, për matjen e sheqerit në gjak. Për fëmijët është një numër prej 1500 personash”, – u shpreh Asim Toro, kryetar i shoqatës “Fëmijët dhe të Rinjtë me Diabet”. Por, krahas mungesës së medikamenteve, edhe kur ato ekzistojnë, kostoja për një familje që ka një fëmijë me diabet është tepër e lartë dhe e papërballueshme, pasi në vit pacienti duhet të kryejë minimalisht rreth 32 analiza. “Sipas konsultimeve me mjekë endokrinologë, një person me diabet duhet të kryejë rreth 32 analiza dhe vizita në vit, nga të cilat disa janë çdo 3/6 muaj. Të gjitha këto konsumime ditore dhe kontrolle vjetore, gjithmonë sipas rekomandimeve të mjekëve, arrijnë një kosto vjetore prej 388.620 lekësh për person. Ndërsa kostot mujore arrijnë në 32.385 lekë”, shkruhet në studimin e shoqatës “Fëmijëve dhe të Rinjtë me Diabet”. Ndaj edhe për këtë arsye, duke qenë se e kanë të pamundur që t’i bëjnë të gjitha analizat, kreu i shoqatës, Asim Toro i kërkon qeverisë rimbursim total të analizës së hemoglobinës së glukozuar, ageve, lancetave e fishave për 1500 fëmijë me diabet. “Që në momentin e krijimit, shoqata jonë ka kërkuar të bëhet rimbursimi i fishave për matjen e nivelit të sheqerit (glicemisë) dhe ageve të aparateve matëse (lancetave) dhe ageve për injeksionin e insulinës, të cilat janë të domosdoshme përditë po aq sa edhe insulina që rimbursohet”, – apelon Toro.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: