Akademiku austriak, Oliver Jens Schmitt ka folur për raportin e Shqipërisë me komunizmin në këto 30 vite me një qasje kritike. Në fjalën e mbajtur si folësi kryesor i tryezës së diskutimit “30 vjet më pas- sa e njohim komunizmin?” organizuar nga IDMC, historiani i njohur, vërejti se “hulumtimi kritik i historisë bashkëkohore mund të zhvillohet shumë vështirë, veçanërisht nuk mund të zhvillohet në universitete dhe akademitë e shkencave, edhe për shkak të vazhdimësive personale me regjimet komuniste. Brenda këtyre vendeve, janë kryesisht grupe të vogla ose intelektualë individualë që nuk janë vetë historianë që përpiqen të fillojnë një debat kritik”.

Sipas Schmitt, përpjekjet e intelektualëve pothuajse gjithmonë hasin në rezistencë të fortë, shpesh të formuluar në mënyrë agresive nga ish-nomenklatura komuniste dhe pasardhësit e tyre. “Asnjë nga këto shtete (por edhe të tjera si Bullgaria ose Rumania) nuk ka një kulturë koherente dhe të dukshme kritike të përkujtimit të komunizmit – Shqipëria zyrtare përpiqet deri më sot t’i mënjanojë ose shpërfillë kampet-burgjet komuniste, ish të burgosurit margjinalizohen, shoqërisht dhe në kujtesën zyrtare”.
Në fjalën e tij mbajtur në tryezën e diskutimit të organizuar nga “Ditët e kujtesës”, ai vëren se “nuk është për t’u habitur që hulumtimi profesional i komunizmit shqiptar bëhet në radhe të parë jashtë Shqipërisë – kryesisht nga intelektualë të rinj të emigruar. Ekspertë joshqiptarë të komunizmit shqiptar ka pothuajse aspak”.

Schmitt që prej vitesh është marrë me studime mbi dhe për Shqipërinë, vërejti se “institucionet shkencore shqiptare nuk u ofrojnë këtyre historianëve perspektivë për të ardhmen, botimet e tyre nuk vihen pothuajse aspak re. Historiografia në Shqipëri dhe ajo e shqiptarëve jashtë Shqipërisë përfaqësojnë dy botë që rrallë prekin njëra-tjetrën”.

Edhe vëzhgimi i tij i dytë ishte jo pak kritik. Sipas akademikut austriak, hulumtimi ndërkombëtar mbi komunizmin punon shumë në formë krahasimore. “Në këtë kontekst”, -tha ai, “historianët që punojnë në Shqipëri janë në të vërtetë inekzistent. Nga shtetet sovrane të epokës komuniste sipas ligjit ndërkombëtar (dhe këto nuk përfshihen tri republikat ish-Jugosllave!), vetëm Shqipëria nuk përfaqësohet në debatin ndërkombëtar me institucione shkencore. Nëse Shqipëria është ndopak e dukshme, kjo është në sajë të grupit të vogël të sipërpërmendur të intelektualëve jashtë vendit. Në kontekstin e sipërpërmendur të hulumtimit krahasues të komunizmit pozicioni i tyre megjithatë nuk është i lehtë. Kjo, sepse ato rezultate që ata kanë për të ofruar nuk korrespondojnë gjithmonë me mendimet dhe teoritë mbizotëruese të hulumtimit të komunizmit”.

Deklaratat e tij u bënë në takimin që po bëhet në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”, ndërsa kumtesa e Scmitt, përqendrohej te tema “Komunizmi në Shqipëri- perspektiva krahasuese”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb