Gjykata e Tiranës cakton masën e sigurisë arrest me burg për Eldi Allushin, pronarin e automjetit tip “BMW X6” që u aksidentua te diga e Liqenit Artificial pak ditë më parë. Lajmi konfirmohet për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala.

Allushi akuzohet për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.

Makina drejtohet nga Emiljano Nina, i cili është shpallur në kërkim nga policia pasi pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes. Ai rezulton i skeduar dhe i arrestuar disa herë për vepra të ndryshme penale, por ndërkohë ende nuk është gjetur nga policia.

Por çfarë ndodhi pas aksidentit në orën 05:00 të mëngjesit të 22 gushtit te Diga dhe si i shpëtoi kapjes 28-vjeçari?
Burime nga policia bëjnë me dije se Nina është larguar pas aksidentit, dyshohet me ndihmën e pronarit të mjetit Eldi Allushi, i cili u ndaluar vetëm orët e pasdites së të martës nga blutë. Dyshohet se Nina, i cili drejtonte “BMW X6” ka pësuar lëndime pas aksidentit, por me gjithë kontrollet e policisë ai nuk është gjetur në asnjë spital apo klinikë në kryeqytet.

Sipas të njëjtave burime, 28-vjeçari ka marrë mjekim në Fier. Policia shkoi fillimisht te 26-vjeçari Eldi Allushi pasi leja e qarkullimit të mjetit të aksidentuar ishte në emrin e tij. Pas shoqërimit është evidentuar se Allushi nuk kishte asnjë lëndim në trup, me gjithë përplasjen e fortë.

Emiljano Nina akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Nina, duke drejtuar automjetin “BMW”, në pronësi të shtetasi Eldi Allushit, për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin, për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore, te Liqeni Artificial. Pasagjer në këtë automjet ka qenë shtetasi Jurgen Allushi, i cili pas aksidentit, është larguar bashkë me drejtuesin e automjetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb