FIER

Një tjetër zë i fortë kundër paligjshmërisë dhe asaj që po ndodh te “Prestige Resort”.

Deputeti i PD-së Luan Baçi ka folur për atë që po ndodh prej dy ditësh te “Prestige Resort”, teksa tha se është një situatë e rrezikshme dhe se është sulmuar media dhe demokracia.

“Do ta quaja me keqardhje një veprim absurd. Të sulmosh një resort të tillë, një media, është vërtetë e dhimbshme, por është dhe e rrezikshme. Nuk është problem se cili TV është sulmuar, problem është se është sulmuar media dhe demokracia.
Duhet të ketë një reagim në bllok të mediave dhe gazetarëve. Do u vijë radha sapo të prekin pak kryeministrin. Do të kenë sulm të papritur nga km, në të gjitha frontet. Kryeministri i çon në SPAK, iu çon tatimorët dhe iu bën presion, iu çon IKMT-në dhe këto i bën një nga një për ato media që nuk i vijnë për shtat kryeministrit. Ndoshta kryeministri bën dhe batuta me ta, ndoshta ha dhe ndonjë drekë siç ka ngrënë në këtë resort me shpurën e tij, arsyeja pse? Dokumentacioni është i rregullt dhe normal. Është sulmuar demokracia, për këtë arsye duhet të jemi të shqetësuar. Media është syri dhe zëri i qytetarëve. Ndalohet ky zë dhe menjëherë kemi instaluar diktaturën. Goditje shumë e fortë për turizmin dhe ekonominë shqiptare në përgjithësi”, deklaroi Baçi.

Ai tha më tej se edhe ky veprim tregon se vendi po kalon një situatë të pazakontë.
“Ky kryeministër kur u inaugurua ky resort, kishte fjalët më të mira. E shfrytëzonte kryeministri këtë investim të këtij biznesi dhe këtyre mediave, e goditi në mënyrë të qëllimtë pa mbaruar sezoni turistik. Marrim anën tjetër, supozojmë se ka problematika në dokumentacion, prit të mbarojë sezoni, njoftoi, lëri të drejtën e kohës që të ankohet dhe të argumentojë nëse ka të drejtë dhe pastaj në bazë të ligjit mund të veprosh.
Japim një mesazh të keq si vend, për turizmin që zë një peshë të rëndësishme në ekonominë shqiptare. Me këtë veprim të papërgjegjshëm të kryeministrit, një urdhër që la para se të shkonte në Beograd, tregon se vendi po kalon një situatë të pazakontë, duhet një reagim mbarëqytetar”, tha Baçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb