Deputeti demokrat, Luan Baçi në një dalje për mediat deklaroi se në qarkun e Fierit ka një rekord të përfaqësuesve të qeverisë që kapen në abuzime të rënda me detyrën. Ai tha se rasti i fundit është i prefektes së Fierit Rajmonda Balilaj.

Sipas tij ajo është pezulluar në ushtrimin e detyrës.

DEKLARATË E DEPUTETIT TË PD-së, LUAN BAÇI:

Qarku i Fierit do të nisë të mbajë rekord në numrin e lartë të përfaqësuesve të qeverisë të cilët kapen me presh në duar në abuzime të rënda me detyrën. Rasti i fundit është i prefektes së Fierit Rajmonda Balilaj. Ajo është pezulluar në ushtrimin e detyrës për një skandal tashmë në dritë.

Zonja në fjalë në kohën kur ishte kryetare e Bashkisë Patos i ka dhënë firmës ‘Genti 001’ me pronar 100% të aksioneve Ilir Dervishajn, i cili sipas SPAK, për tri vite rresht 2019-2022 është shpallur, jo pak, por në 32 procedura prokurimi. Skandali thellohet pasi anëtarja e Asamblesë së PS, pra një prej pionierëve të Edi Ramës, këto procedura prokurimi i ka dhënë ende pa nisur tenderi. Ka mjaftuar një firmë e Rajmonda Balilajt që paratë e taksapaguesve fierakë të shkonin në një xhep goxha të thellë.

Gjatë hetimeve rezulton se Balilaj ka bashkëpunuar me 6 zyrtarë të bashkisë gjatë kohës që ajo e drejtonte, mes tyre ish-nënkryetaren Anisa Petani, sekretarin e përgjithshëm, Shkëlqim Beqiri. Rasti i Balilajt është vetëm një ndër qindra e mijëra zyrtaresh te korruptuar qe Partia Demokratike denoncon çdo dite. Por, ne rikujtojmë se hetimet dhe vendimet që mund të merren për të korruptuarit vihen në pikëpyetje kur sheh lëvizjet hilacake të qeverisë dhe vetë Edi Ramës për t’i amnistuar këta kriminelë me xhepa të thellë. Apo përpjekjet e SPAK për të kapur ‘balilet’ e vegjël dhe shpëtuar bajlozët në krye të kupolës. Për ta ka vetëm një zgjidhje, protesta, mosbindje civile dhe qeveri teknike. E vetmja formulë që shqiptarët të zgjedhin lirisht.

O sot o kurrë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb