NGA: KLODJANA HAXHIAJ*
Ka qeshur dhe ka bërë humor edhe kur i qante shpirti. Idhësinë e shuante çdo ditë, nga mëngjesi në mbrëmje në një gropë gëlqereje. Dhe si të mos ishte ai që ishte, hiqte kominoshet e punës, ngjyer krejt në të bardhë dhe ngjitej në skenë për të bërë të tjerët të qeshnin. Ky është aktori i mirënjohur i humorit shkodran, Edmond Halili, i cili ka një peng të madh në jetën e tij. Një makth që nisi në kohën e diktaturës dhe që e përndjek dhe sot e kësaj dite. Më shumë se tre dekada më parë, i ekzekutuan vëllain 25- vjeçar në kufi, teksa po tentonte të largohej nga vendi i zhytur në mjerim dhe skamje. Edhe sot e kësaj dite, Mond Halili kujton ditën kur trupin e bërë shoshë nga plumbat të të vëllait, Tristanit, e vunë në një zis dhe e shëtitën në të gjitha lagjet e qytetit të Shkodrës me vulën e tradhtarit të armikut të popullit. Edhe sot e kësaj dite, aktori i mirënjohur i teatrit më të zëshëm në vend kujton se ai dhe të afërmit e tij nuk guxuan të hapnin dyert e mortit dhe të qanin Tristanin. Dhe pas kaq vitesh ende nuk e dinë se ku ndodhen eshtrat e tij. Edmond Halili, i cili prej disa vitesh jeton në Durrës, në një rrëfim të parë për jetën e tij në “Gazeta Shqiptare” vjen pa maskën e aktorit, por më i sinqertë se kurrë më parë. Me 200 role në skenë dhe një karrierë mbi 40-vjeçare, aktori falënderon popullin shkodran që i ka qëndruar afër familjes së tij në ditët më të errëta.

Zoti Halili, ju keni një histori të trishtë në jetën tuaj. Të pa rrëfyer më parë. Çfarë i ka ndodhur familjes tuaj në verën e vitit 1982?
Më 17 gusht të vitit 1982, vëllai im, Tristani tentoi të arratisej jashtë shtetit, në ish-Jugosllavi. Atë ditë ma vranë vëllanë në kufi. E hipën në një zis me sponde të hapura dhe së bashku me shokun e tij të ngushtë, me të cilin tentoi të largohej i shëtitën si armiq të popullit nga fshati Zogaj që ishte zonë kufitare dhe në të gjithë lagjet e Shkodrës. Trupat e tyre ishin bërë shoshë nga plumbat. Në atë kohë thoshin se kështu e pësojnë të gjithë ata që tradhtojnë atdheun. Ndërsa, unë shkoja nga pas makinës me biçikletë që të shihja nëse ishte apo jo vëllai im.

Ju i bëtë ceremoni varrimi vëllait dhe a jua dorëzuan trupin?
Bah, kush të linte atëherë të bëje ceremoni varrimi. Nuk të linin as të qaje. Një ditë pas vrasjes së vëllait, ne të gjithë ishim në punë. Askush nuk mbajti zi. Neve, mua, nënës dhe motrave na vinte për të qarë dhe kishim frikë. Kur ishim në punë na shkulej zemra nga dhimbja e qanim pa lot. Atëherë punonim në NSHN. Brigadieri, Kujtim Gjylbegu na fuste në një dhomë e na thoshte: Qani këtu, shfryhuni.

Ju i hapët dyert e mortit për vëllain 25-vjeçar?
Ku hapeshin dyert e mortit atëherë? Unë u quajta vëllai i tradhtarit. Familja ime quhej familje tradhtari (qan). Por populli i Shkodrës është popull heroik se na mbajti shumë afër. Qytetarët e Shkodrës na hodhën krahun e na thanë: Jemi shokë deri në vdekje.

Po nëna e babai si e përballuan vrasjen e djalit?
Babai u dënua me 25 vjet burg pas vrasjes së vëllait. Ishte oficer në lirim dhe u konsiderua si babai i armikut të popullit. Ai doli nga burgu kur erdhi demokracia.

Çfarë ndodhi me pjesëtarët e tjerë të familjes pas ekzekutimit të Tristanit?
Motra u nda nga i fejuari, sepse ne u shpallëm armiq. Ne na lanë të punonim në gurore, në punët më të rënda. Gjithë ditën, me çizme e me përparëse dhe me një zorrë uji shuaja gëlqere. Por, më donin shumë të gjithë inxhinierët. Dhe të tjerët, pasi bëja humor dhe tek gropa e gëlqeres. Kam punuar dhe si hekurkthyes, kam bërë punë shumë të vështira.

Pas vendosjes së demokracisë, e keni trupin e vëllait tuaj?
S’kemi lënë vend pa e kërkuar. Ai që e ka çuar me makinë në një fshat të Shkodrës ku thuhet se e kanë varrosur është zhdukur. Edhe ata që kanë hapur gropën janë zhdukur. Edhe ata që kanë qenë në degë të brendshme janë zhdukur. Kam marrë vesh që kanë përfunduar në Australi dhe në Kanada. Ku me i gjet?. Babai, pasi bëri 14 vjet burg politik vdiq, ndërsa na la amanet që të gjejmë eshtrat e Tristanit. Nëna është 85- vjeçe dhe çdo ditë na thotë: Më gjeni eshtrat e djalit t’i bëjmë një varr. Ne si vëllezër kemi kërkuar gjithandej, por nuk na e tregojnë vendin ku është varrosur Tristani. Ne nuk do të hakmerremi, por thjesht duam eshtrat e vëllait që të ketë një varr ku ta qajmë.

Kur dhe si nise punë në teatrin “Migjeni”?
Që fëmijë isha angazhuar në shfaqjet që jepeshin në atë kohë. Thonin se isha i talentuar. Edhe pse nga një familje me biografi të keqe jam angazhuar dhe me trupën e estradës së qytetit. Më pëlqenin për humorin dhe plastikën. Në 91-n isha në Shoqatën e të Persekutuarve në Shkodër, kur shefi i kulturës së Shkodrës, Marjan Shestani dhe kryetari i shoqatës, Ferit Daja kishin diskutuar për mua. Ata kishin thënë se i jemi borxhlinj Mond Halilit, se është djalë i talentuar. Në atë kohë punoja tek NISH Goma. Ata më thanë “Hajde se të kërkojnë në Komitetin Ekzekutiv”. Shkova në komitet dhe aty më dhanë një zarf e më thanë: Shko në Teatrin “Migjeni”. Shkova në teatër dhe zarfin ja dorëzova drejtorit, Gëzim Spahia. Ai më tha urime. Çfarë i thashë? Ke filluar punë këtu, më tha. O Zot kjo kishte qenë ëndrra ime. Shpeshherë kur shkoja me biçikletë në punë dhe ktheja kokën nga teatri, thosha me vete, a do të punoj ndonjëherë unë këtu? Paska pasur Zot që të plotësohej ëndrra e jetës time.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: