Sensi i ironisë me doza pikante tek aktorja Egla Ceno ka shije të përzier mes së hidhurës e djegëses. Menu si kjo serviren rrallë në komunikimin publik. Çfarë e shqetëson aktoren me festimet në grupe të 8 Marsit?

Fjalët i gjen të përshtatshme për ta kornizuar konceptimin e saj për “lumin” që derdhet në rrugë e lokale në emër të një feste që realisht ka ardhur nga një ditë proteste, mllefi e zëri që ngrihet fuqishëm ndaj shkeljes së të drejtave. Po festa, ç’hyn këtu??? Ja si shprehet aktorja Egla Ceno për “Dikush” në “Youtube” të “Gsh.al”.

Ajo lidh personazhin femër në qendër të shfaqes së vet më të re, “Udha e qumështit” me skenar e regji të Armand Borës me qëndrimin sarkastik për festën: “Në fakt edhe protagonistja ime është një femër. Jemi në trendin e një feminizmi të çmendur. Nuk e festoj se është mungesë respekti ndaj grave. Më vjen keq që 8 Marsi të etiketohet si Dita e Grave. Ato nuk kanë nevojë për një ditë për t’u ndierë të bukura, të respektuara e për t’u vënë në qendër të vëmendjes. Duhen 365 ditë.”

Në këtë renditje argumentesh, aktorja Ceno ndërpritet nga pyetja e moderatores Anilda Kaçaçi: “Në këto 365 ditë ka kusur për burrat?” Në rrjedhën e saj logjike thotë: “Sigurisht. Gruaja pa burrin e burri pa gruan nuk mund të kuptohen. Janë dy skaje që krijojnë familjen e shoqërinë.” Gjatë këtij edicioni të “Dikush”, aktorja jep perceptimin që ka mbi aspekte të ndryshme mbi privatësinë, mënyrën e njohjes së personalitetit të tjetrit dhe gjendjen aktuale të krijuar në vend për shkak të zhvillimeve politike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb