TIRANË- “Thaçi-Berisha” dhe replikat e shkëmbyera prej tyre sot në distancë duket se do të diskutohen për një kohë të gjatë.
Ndërkohë nga Partia Demokratike ka ardhur reagimi i parë. Është deputeti i PD-së Tritan Shehu ai që i del në mbrojtje Berishës dhe thotë se ka pasur një rol të pazëvendësueshëm për zhvillimin e Shqipërisë, Kosovës e rajonit dhe demokratizimin e këtyre vendeve.

Shehu shfaqet i indinjuar dhe i quan shtrembërime akuzat e presidentit të Kosovës ndaj ish-presidentit Sali Berisha se ka ndihmuar makinerinë e luftës së Millosheviçit, ka strehuar Arkanin dhe ka arrestuar Adem Jasharin. Për deputetin demokrat mendimi dhe autoriteti i Berishës duhet të dëgjohen dhe vlerësohen.

Sot Berisha në një takim me një delegacion nga Lugina e Preshevës u shpreh kundër idesë së Thaçit për korrigjim kufijsh me Serbinë, duke e cilësuar një ide serbe.

STATUSI I SHEHUT
Me shumë habi dëgjova, pikërisht sapo bëra një postim për rolin e Berishës në mbështetje të Kosovës, një sërë “akuzash” ndaj tij, diametralisht të kundërta me realitetin, rolin e kontributin e tij.
Si një njeri që ka bashkëpunuar gjatë me atë, që kam pas nderin të jem dhe Ministër i Jashtëm kur ai ishte President, nuk mund të mos indinjohem thellë nga ato.
Nuk ja vlen të shkruash gjatë për të rrëzuar të tilla shtrembërime, por nuk mund të rri pa theksuar atë që është e vërteta, rolin e pa zëvendësueshëm të Berishës jo vetëm për demokratizimin e hapjen e Shqipërisë, por dhe për kombin tone, përfshi e Kosovën e Rajonin.
Një faktor thelbësor në arritjet e pa imagjinueshme të shqiptareve në këto 25 vite kanë qenë dhe zhvillimet demokratike në Shqipëri, ecja e saj e shpejtë drejt NATO e BE, racionaliteti e vizioni i politikave tona, roli thellësisht integrues e stabilizues për Rajonin që ne luajtëm prej Marsit 1992.
Dhe pa dyshim roli i Berishës si lideri i lëvizjes e proceseve tona demokratike, ishte parësor në të gjitha këto procese.
Fatmirësisht edhe aktualisht mendimi e autoriteti i tij i pa diskutueshëm vazhdon të jetë një mbështetje e ndihmë e madhe në këtë drejtim, që duhet dëgjuar e vlerësuar me kujdes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb