Cristiano Ronaldo ka mohuar të ketë përdhunuar një grua në vitin 2009, dhe t’i ketë paguar asaj një shumë prej rreth 300 mijë eurove për të fshehur aktin. Futbollisti i Real Madridit, me anë të një deklarate të lëshuar mbrëmjen e së martës nga Gestifute, kompania e drejtuar nga agjenti i tij Jorge Mendes, hodhi poshtë informacionin e publikuar nga e përditshmja gjermane “Der Spiegel” e cila pretendonte se Ronaldo ka përdhunuar një grua në vitin 2009. Gazeta, bazuar në rrjedhjen e dokumenteve “Football Leaks”, shkroi se lojtari kishte rënë dakord t’i paguajë 258,172 euro gruas së paidentifikuar, në mënyrë që të zgjidhet në mënyrë të heshtur kjo çështje.
“Artikulli nuk është asgjë, përveçse një fantazi gazetareske”, shkruhet në reagimin e Ronaldos.
“Viktima e supozuar refuzon të shfaqet dhe të konfirmoj vërtetësinë e akuzës. Gazeta ka bazuar tregimin e saj të gjithin në dokumente të cilat janë të panënshkruara dhe ku palët nuk janë të identifikuara. Akuzat e raportuara nga “De Spiegel” janë të rreme, dhe Cristiano Ronaldo do të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për të reaguar ndaj tyre. Një akuzë e një akti të përdhunimit është e pështirë, dhe ai nuk do të lejojë që ajo të bjerë mbi reputacionin e tij”, thuhet në njoftimin e Ronaldos.
“Der Spiegel” ka kontaktuar Ronaldon, i cili është përgjigjur përmes avokatit të tij në Mynhen, Johanes Kreile, dhe nuk ka pranuar akuzat.
“Duke gjykuar nga pyetja juaj, akuzimet duhet të mohohen fuqimisht pasi janë jo të sakta”, ka thënë avokati.
Avokati gjithashtu ka thënë që klienti i tij do të marrë “masa legale kundër deklaratave false dhe çdo shkeljeje të të drejtave të tija personale”.
Ndërsa gazeta portugeze “Jornal de Noticias”, ka thënë që gruaja ka marrë “para heshtjeje” për të mos folur për një aferë, e jo për përdhunim.

(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb