Megjithëse Prokuroria Themelore dhe Policia në Pejë e kanë konfirmuar rastin, ish-ministri dhe deputeti boshnjak në Kosovë Numan Balic, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj një të miture në Vitomiricë të Pejës, ka mohuar këto akuza.

Balic, ka qenë ministër i Shëndetësisë në vitin 2003, ish-deputet nga viti 2007 deri 2010, dhe së fundmi ishte zv/ministër i Ministrisë së Administratës Publike, por i shkarkuar në janar të këtij viti. Ai ka thënë për Express se të gjitha këto akuza janë shpifje. “Të gjitha këto janë shpifje e mediave”, tha ai.

Burimet zyrtare thanë më herët se 60-vjeçari ishte përfshirë në një abuzim seksual me një 17-vjeçare të komunitetit boshnjak, Selma M..

Rasti në fjalë është raportuar nga prindërit e viktimës. Menjëherë pas marrjes së informacioneve, organet e sigurisë kanë marrë në pyetje ish-zv/ministrin Balic i cili më pas është liruar në procedurë të rregullt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb