Alarm në një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë. Persona të armatosur, që dyshohet se janë piratë somalezë, kanë hipur në një cisternë kimike në Gjirin e Adenit, pranë brigjeve të Jemenit, dhe kanë marrë kontrollin e saj.
Sipas Qendrës Britanike për Operacionet e Tregtisë Detare (UKMTO), anija u sulmua nga persona të paautorizuar ndërsa lundronte në jug të provincës Al-Mukalla, në Jemen. Kompania britanike e sigurisë detare Ambrey vlerëson se pas sulmit qëndrojnë piratë somalezë, ndërsa në bord nuk ndodhej ekip sigurie i armatosur.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se cisterna, e identifikuar si Asana, me flamur të Tanzanisë, po lundronte drejt Bosasos në Somali kur u dha sinjali i emergjencës. Pas marrjes së sinjalit, një anije luftarake e Koresë së Jugut u nis drejt zonës për të ofruar ndihmë.
Incidenti vjen në një periudhë të rritjes së shqetësimeve për sigurinë detare në Gjirin e Adenit dhe Detin e Kuq, ku muajt e fundit janë shënuar disa sulme ndaj anijeve tregtare. Vetëm në fillim të korrikut u raportua një tjetër sulm nga piratë të dyshuar somalezë ndaj një anijeje pranë brigjeve jugore të Jemenit.
