Autoritetet meteorologjike kineze kanë lëshuar të dielën alarm për reshje të dendura shiu në disa zona të Kinës jugore, ndërsa kanë paralajmëruar për rrezik të lartë të katastrofave gjeologjike, përfshirë rrëshqitje dheu.
Situata është veçanërisht kritike në zonat përreth qytetit Chongqing, ku 34 persona rezultojnë ende të zhdukur, më shumë se dy ditë pas një rrëshqitjeje masive dheu të shkaktuar nga reshjet e dendura. Nga ngjarja tragjike e së premtes kanë humbur jetën të paktën 8 persona.
Brezi i shirave të rrëmbyeshëm shtrihet në mënyrë diagonale përmes Kinës jugore, nga provinca jugperëndimore e Yunnan-it deri në deltën e lumit Jance në bregun lindor të vendit.
Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, autoritetet hekurudhore pezulluan disa linja pasagjerësh në hekurudhën Shangai–Kunming, sipas transmetuesit shtetëror CCTV.
Në provincën Yunnan, disa zona turistike, përfshirë atraksionin e njohur natyror Gryka e Kërcimit të Tigrit, janë mbyllur përkohësisht pas reshjeve intensive të fundjavës.
Ndërkohë, rajoni Guangxi në jug të Kinës, i cili ende po përballet me pasojat e tajfunit Maysak në fillim të muajit, po përgatitet për një valë të re reshjesh të fuqishme.
Autoriteti kombëtar për kontrollin e përmbytjeve paralajmëroi se në disa zona të Guangxi-t lindor mund të bien nga 300 deri në 450 milimetra reshje nga e diela deri të martën. Kjo sasi përfaqëson deri në 30% të reshjeve mesatare vjetore të të gjithë rajonit.
Ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet për personat e zhdukur në Chongqing, ndërsa autoritetet kanë ngritur nivelin e gatishmërisë për shkak të rrezikut nga përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe dëmet e mundshme në infrastrukturë.
