TIRANE- Në debat e sipër me ish-vartësin e tij Alfred Lela por edhe shefin e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Mark Markun, botuesi i mediave “Mapo” Henri Çili ka nxjerrë një ‘sekret’ ndoshta edhe për median e tij, kur thotë se “sistemi nuk ka më para, dështoi në treg”, ndërsa e kundërta sipas tij, është suksesi i Arian Çanit: “Ai do ketë rrogë gjithnjë e më të lartë sepse ndiqet shumë”.

E në këtë pikë, gazetari Alfred Lela ka bërë ironi, duke i thënë ish-shefit të tij se duhet ta japë Mapon me koncesion, e si drejtues duhet të marrë Armand Shkullakun, edhe ky i fundit i larguar nga drejtimi i ABC News.

“Meqë zoti Çili e ka hapur tenderin për drejtimin në Mapo të llojit PPP dua t’i propozoj një skemë perfekte PR, merr Armand Shkullakun, i fshin të gjitha pretendimet se linja ka ndryshuar dhe se ka ndikuar apo jo qeveria…”.

Përgjigjja e Çilit ka qenë e menjëhershme. “Shkullaku e ka pasur këtë ofertë. Unë do merrja çdokënd që do kishte projekt menaxherial të vetëfinancueshëm. Sigurisht jo në kundërshtim me filozofinë dhe pikëpamjet e mia”.

Më tej, edhe Mark Marku duke vazhduar idenë e çilit, tregon arsyet se pse sipas tij, ka dështuar “Mapo” në treg. “Dështimi ekonomik i mediave është pjesë e krizës ekonomike të shqiptarëve. Duke bllokuar informacionin, duke mos shitur përmbajtje, mediat sheshin PR e qeverisë që nuk e blen publiku. Pse ka dështuar Mapo? Se ju jeni i interesuar të shisni PR e qeverisë. Sistemi po shkon drejt dështimit, sepse shet propagandë qeveritare, t’i pra diskreditohesh, nga publiku.

Sakaq edhe analisti Lutfi Dervishi, ishte i mendimit se media në këtë moment i ka kthyer kurrizin publikut, duke ngrënë në një sahan me politikën.

“Nuk ka më gazetari, është show propagandistik. Do vijnë zgjedhjet, studiot do mbushen me opinione të formuara nga të dhëna të pavërteta. Nuk ka gazetarë që do raportojnë për zgjedhjet. Nuk ka gazetarë që raportojnë. Por në kuptimin e medias, nuk ke reporterë në terren. Liri në media do të thotë që një gazetar i merr vendimet mbi ndërgjegjen e tij personale. Nëse hyn censura, autocensura bëhet fjalë për spektakël propagandistik. Ndaj themi është mbytur raportimi. Mjedisi ku nuk rritet dot një gazetari kritike. Media në këtë moment i ka kthyer kurrizin publikut. Media e politika janë duke ngrënë në një sahan. Po vjen duke u shuar historia e kritikës, nuk ka më as raportimin profesional”,- sqaroi ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb