TURQI- Ambasadori shqiptar në Turqi, Genci Muçaj, në një intervistë për faqen online “Eurasiareview” është shprehur se tre prioritet kyçe të kësaj ambasade janë marrëdhëniet diplomatike, diplomacia ekonomike dhe diplomacia kulturore.

“Turqia dhe Shqipëria kanë udhërrëfyes të përbashkët në shumë çështje ndërkombëtare. Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes përbën një dimension të fortë të marrëdhënieve bilaterale Turqi-Shqipëri. Të dyja këto vende kanë patur marrëdhënie progresive prej shumë vitesh dhe u futen në një partneritet të nivelit të lartë, me Dokumentin e Partneritetit Strategjik. Marrëveshje të tilla përforcojnë marrëdhëniet politike, ekonomike dhe kulturore”, është shprehur Muçaj.

Sa i përket marrëdhënieve të biznesit mes Shqipërisë dhe Turqisë, ambasadori shqiptar në Turqi tha: “Marrëveshja për Tregtinë e Lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë është e rëndësishme për përforcimin e tregtisë mes këtyre dy vendeve. Sigurisht Shqipëria është më e hapur ndaj investitorëve pas përjetimit të periudhës së tranzicionit nga një ekonomi e planifikuar e përqendruar në një ekonomi të hapur tregu. Me ambicien për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, qeveria shqiptare është angazhuar të krijojë një klimë biznesi më konkurruese dukendërmarrë ndryshime të rëndësishme”.

Mucaj shtoi më tej se “Shqipëria ka volum të konsiderueshëm të burimeve të naftës duke prodhuar më shumë se 1,2 milion ton në vitin 2013. Qeveria shqiptare ka një politikë inkurajuese për të tërhequr investime të huaja në sektorin e saj të burimeve natyrore”.

Më tej ai foli për lidhjet kulturore e historike mes dy vendeve.

“Hapja e Qendrës Kulturore Shqiptare në Ankara ka për qëllim përforcimin e lidhjes kulturore mes Turqisë dhe Shqipërisë dhe projekte të tilla të ngjashme që pritet të realizohen në të ardhmen kanë po të njëjtin qëllim”, tha ambasadori Muçaj.

Ndërkaq, i pyetur për besimin fetar në Shqipëri, Muçaj theksoi sërish se feja e shqiptarëve është shqiptaria.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: