Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, zhvilloi këtë të mërkurë një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, ku në fokus ishin prioritetet e sistemit të prokurorisë dhe vijimi i zbatimit të reformës në drejtësi.

Pas takimit, Moreira de Sousa theksoi rëndësinë që ka forcimi i sistemit të drejtësisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, ndërsa bëri të qartë se mbështetja e Bashkimit Evropian për institucionet e drejtësisë do të vijojë.

Sipas ambasadores, në bisedën me Bogdanin u trajtuan ndër të tjera llogaridhënia institucionale, pavarësia dhe efektiviteti i institucioneve, si dhe hapat e mëtejshëm në zbatimin e reformës në drejtësi.

“Një sistem i fortë drejtësie është thelbësor për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë takimit tim me Mirela Bogdanin, Kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, diskutuam mbi prioritetet kryesore të sistemit të prokurorisë në Shqipëri, përfshirë llogaridhënien institucionale dhe vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi”, deklaroi Moreira de Sousa.

Ambasadorja nënvizoi më tej se Brukseli do të vazhdojë të mbështesë forcimin e institucioneve të drejtësisë në vend, duke e lidhur funksionimin e tyre edhe me besimin e qytetarëve te sistemi.

“Theksova se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë institucione të drejtësisë të forta, të përgjegjshme, të pavarura dhe efektive, duke kontribuar në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe në forcimin e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë”, u shpreh ambasadorja e BE-së.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb