Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, i ka bërë thirrje partive politike dhe institucioneve tjera në Maqedoninë e Veriut që t’i japin fund presioneve ndaj pushtetit gjyqësor.

“Gjyqtarët duhet të jenë të lirë në ushtrimin e detyrës së tyre dhe zbatimin e ligjit. Këtë e kërkojnë gjithnjë e më shumë qytetarët e këtij vendi. Ata kanë nevojë për pushtet gjyqësor të pavarur dhe efikas”, tha ambasadorja amerikane Angela Ageler në një fjalim të mbajtur më 15 mars në Shkup në shënimin e 60-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këtu në Maqedoninë e Veriut, kjo gjykatë është thelbësore për të mundësuar një shoqëri transparente dhe të drejtë. Të gjithë duhet të respektojnë pavarësinë e gjyqtarëve të cilët duhet të jenë të verbër ndaj ndikimeve politike dhe opinionit publik, dhe të udhëhiqen nga parimet që janë të bazuara në kushtetutat tona”, u shpreh ambasadorja amerikane.

Kritikat e diplomates amerikane vijnë pas raporteve të institucioneve ndërkombëtare për uljen e besimit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në pushtetin gjyqësor.

Sipas hulumtimeve të fundit mbi opinionit publik, besimi në gjyqësor është ulur në 2 për qind, që është në nivelin më të ulët që nga pavarësia e këtij vendi në vitin 1991.

Ambasadorja Ageler tha se “vetëm gjyqtarët e pavarur mund të mbështesin sundimin e ligjit dhe të mbrojnë të drejtat dhe se ata duhet të veprojnë në mënyrë objektive dhe të drejtë”.

“Kam dëgjuar shumë nga ju për presionet që u janë bërë. Presionet mbi gjyqësorin në Maqedoninë e Veriut janë diçka që duhet të ndalen. Gjyqtarët duhet të lihen të lirë të ushtrojnë detyrën e tyre”, deklaroi Ageler.

Shefi i Misionit në Shkup të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Kilian Wahl, ndër të tjera theksoi nevojën për fuqizimin e Gjykatës Kushtetuese përmes futjes së mekanizmit efikas të parashtrimit të ankesave.

“Misioni i OSBE-së në Shkup dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë mbështesim gjykatën, e cila do të vazhdojë të shërbejë si shtyllë solide për sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe demokracinë në Maqedoninë e Veriut”, ka deklaruar ambasadori i OSBE-së, Kilian Wahl.

Pushteti gjyqësor në Maqedoninë e Veriut është kritikuar në vazhdimësi nga Bashkimi Evropian.

Bashkimi Evropian ia ka bërë thirrje Shkupit të bëjë reforma të thella në sistemin gjyqësor pasi vlerëson se ka arritur në “një pikë kritike”, pas skandaleve të shumta lidhur me lirimin e shumë zyrtarëve të korruptuar nga ndjekja penale nga periudha e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, vjetërsimin e lëndëve edhe lirimin nga burgu të disa prej tyre./ REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb